Vrasja e Ardian Nikulajt, gabimi i ministres mund të rrezikojë…

Home Office, Ministria e Brendshme britanike, thotë se ka zbuluar një gabim administrativ me pasoja të mundshme në ekstradimin e një shqiptari dhe tre britanikëve, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 Prill 2023.

Gabimi lidhet me dokumentet e firmosura nga ish-ministria Yvette Cooper, disa muaj pasi gjykata e ekstradimeve “City of Westminster Magistrate Court” në Gusht 2024 pranoi kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar shqiptarin me pasaportë britanike Edmond Haxhia dhe shtetasit britanik Thomas Mithan, Harriet Bridgeman bashkë me Harry Simpson.

Top Channel ka parë letrën e dërguar nga drejtoria e ekstradimeve në Home Office, ambasadës shqiptare në Londër, ku tregohet me detaje gabimi i zbuluar dhe rrugët e mundshme për ta korrigjuar.

Ky korrigjim kërkohet të ndodhë përpara nisjes së procesit të apelit në Gjykatën e Lartë “Royal Court of Justice” më 7 tetor, në mënyrë që avokatët mos ta shfrytëzojnë gabimin për të liruar automatikisht të katër të kërkuarit e drejtësisë shqiptare.

Home Office në letër tregon se fillimisht Edmond Haxhia u akuzua nga Prokuroria e Lezhës, bazuar në nenin e kodit penal të Shqipërisë “si vrasje për gjakmarrje”. Ndërsa tre britanikët për vrasje me paramendim.

Por këto akuza gjatë gjyqit të ekstradimit u ndryshuan pas një letër garancie nga Prokuroria e Lezhës dhe me firmën e ish-ministrit të drejtësisë Ulsi Manja ku thuhej se “Edmond Haxhia nuk do të akuzohet për vrasje për shkak të gjakmarrjes”. Ndërsa për tre britanikët ranë akuzat për përdorim armësh pa leje.

Ndryshimi i akuzave bëri që gjykata ekstradimeve t’i thoshte “PO”, kërkesës së shtetit shqiptar dhe vendimi i shkoi për firmë sekretares së shtetit Yvette Cooper.

Lexo edhe :  Presidenti Begaj takon Macron në New York: "Një mik i mirë"

Është zbuluar se të katër dokumentet e firmosura prej saj, ishin formuluar gabim, me akuzat e vjetra bazuar në nenet e gjakmarrjes dhe përdorimit të armëve. m.p.