Në 6-mujorin e parë të këtij viti, investimet e huaja arritën në 760 milionë euro, nga 751 milionë që ishin një vit më parë. Shifra tregon një rritje të vogël, por të mjaftueshme për të mbajtur Shqipërinë në hartën e interesit të investitorëve.
Më aktivë kanë qenë italianët, turqit dhe austriakët, ndërsa gjithnjë e më shumë po rritet pjesëmarrja e investitorëve nga Kosova, SHBA dhe Zvicra.
Pjesa më e madhe e fondeve është orientuar drejt pasurive të paluajtshme, me 149 milionë euro vetëm në tremujorin e dytë. Pas tyre vijnë sektori financiar, industria nxjerrëse dhe tregtia me shumicë. Por fusha si bujqësia apo arsimi mbeten pothuajse jashtë interesit të të huajve.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë thekson se rreth 15% e banesave të shitura këtë vit janë blerë nga të huajt, duke treguar një interes në rritje për tregun e pronave në Shqipëri, më i larti në 5 vitet e fundit. Shifrat tregojnë se Shqipëria mbetet një treg i hapur për të huajt, por sfida kryesore është orientimi i investimeve drejt sektorëve që gjenerojnë zhvillim afatgjatë./kb