E propozoi kandidat për Bashkinë e Tiranës/ Alimehmeti zbulon pse e refuzoi Berishën

Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i ftuar në Klan News, foli më tepër, në lidhje me takimin që ka pasur me kreun e PD-së, Sali Berisha.

Alimehmeti tha se ka pasur një takim me Berishën dhe se kryetari i partisë i ka bërë ofertën për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës. Ai tha se ka refuzuar, pasi ka një plan strategjik më afatgjatë, atë që Partia Demokratike të fuqizohet hap pas hapi, me qëllim që të fitojë zgjedhjet në vitin 2029.

“Po, kam pasur një takim me Sali Berishën, pasi ai është kryetari i partisë dhe është normale të kem bisedë me të. Vijoj t’i qëndroj besnik projektit tim, që kam pasur edhe më herët më 2022. Kjo do të thotë që jam për një garë me ekip dhe garë me mandat katër vjeçar, që të ketë mundësi të ketë program qeverisës katër vjeçar, që aktualisht nuk është. Unë e mendoj kështu që, kandidatë të ndryshëm, grupe të ndryshme, ofrojnë programe politike pranë kryetarit dhe Kryesisë dhe vendosin ata se cili projekt është më i mirë. Më bëri ofertë për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës. Por, projektet duhet të ecin bashkë. Por unë mendoj në mënyrë afatgjatë. Mendoj se gara e vërtetë politike është më 2029.  Ne na duhen që të fitojmë sa më shumë bashki në zgjedhjet lokale të vitit 2027 me anë të riorganizimit, që të fitojmë ‘terren’ dhe më tej të kemi projekt me etapa, për të fituar zgjedhjet”, tha Alimehmeti./e.t