Balluku publikon videon e deputeteve të reja të PS: Lanë pa fjalë burrat që urrejnë gratë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka publikuar në rrjete sociale një përmbledhje të shkurtër nga fjala që mbajtën sot në seancë plenare disa nga deputetet e reja të Partisë Socialiste. Mes tyre, Sara Mila, Kiduina Zaka, Zegjine Çaushi dhe Erjona Ismaili të cilat njëzëri janë kundër bullizmit nga deputetët opozitarë.

Balluku teksa ofron mbështetjen e saj për deputetet e reja të Partisë Socialiste, thekson se duhet të jenë shembull i fjalës së lirë, fjalës mbi argumenta dhe fjalës që lë pa fjalë burrat që urrejnë gratë.

“U ndjeva e lumtur sot në parlament, teksa shikoja deputetet e reja socialiste që e merrnin fjalën njëra pas tjetrës, pa stres e emocione, pavarësisht bullizimit permanent nga “bukuroshët” opozitar.

Forca goca dhe kthehuni në shembullin e fjalës së lirë, të fjalës mbi argumenta, të fjalës që lë pa fjalë burrat që urrejnë gratë.”-shkruan Balluku.

Deputetja e Partisë Socialiste, Kiduina Zaka në fjalën e saj drejtuar opozitës thekson se ata nuk janë shembulli më i mirë për të rinjtë.

“Nuk mendoj se keni dhënë shembullin më të mirë për ne që jemi të rinj. Nuk besoj se ato Kushtetuta të fluturuara dhe Rregullore të Kuvendit të drejtuara drejt kabinetit të qeverisë ishin shembulli më i mirë i deputetëve të rinj.”-shprehet Zaka.

Ndërsa Zegjine Çaushi me tone ironie tha se prej kohësh deputetët opozitarë kërkojnë vetëm fjalën për procedurë për procesverbalin, por për këtë të fundit, asnjë nga juristët dhe jo vetëm, nuk tha se ndonjë gjë është shkruar gabim.

“Besoj se në grupin tuaj keni mjaftueshëm juristë por dhe një jo jurist arrin ta kuptojë rregulloren dhe pikërisht neni 44 pika 2. Keni kaq shumë seanca që kërkoni fjalën për procedurë, për të rregulluar procesverbalin, por askush nga ju nuk u ngrit të thotë që kjo fjalë e shkruar në procesverbal nuk është shkruar drejt.”-tha Çaushi.

Lexo edhe :  Rama paralajmëron: Ç’parashikon reforma e re territoriale

Ndërsa deputetja Erjona Ismaili dhe Sara Mila, shprehen se bullzimi ndaj tyre duhet të jetë zero dhe deputetët e opozitës duhet t’i përmbahen Rregullores, Kushtetutës dhe respektimit të ligjit.

Ndërsa Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj në seancë plenare u shpreh se investimet e huaja po rriten dita ditës në vendin tonë ndërsa theksoi se opozita investon vetëm për të prishur imazhin e vendit dhe për të bërë me baltë Shqipërinë.

Nuk po ua them sa ishin investimet e huaja kur Edi Rama mori drejtimin e këtij vendi në 2013. Por edhe në krahasim me veten tonë, brenda një 6 mujori jemi plus 8 milionë. Kemi arritur 759 milionë investime të huaja për të mos folur për të gjithë brendet e huaja që sot vijnë dhe operojnë në Shqipëri për shkak të transparencës dhe kuadrit ligjor që ofron ky vend. Ju investoni për t’i prishur imazhin vendit në çdo fjalë tuajën, ju investoni fuqimisht për ta bërë me baltë Shqipërinë.”-thekson Balluku.

Kiduina Zaka, Zegjine Çaushi, Erjona Ismaili, Sara Mila dhe Belinda Balluku