Bllofi i radhës i Berishës. Gazetari italian: Dosja u arkivua nga autoritetet italiane

Prej ditësh, opozita po e fryn si tullumbace ekzistencën e një samiti të supozuar mes kriminelësh në vitin 2019 në ishullin holandez të Arubës, ku sipas saj, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues (anonimë) të qeverisë Rama. Akuzat bazohen në zbulimet e përfshira në një libër të sapobotuar në Itali, me autor gazetarin italian Nello Trocchia, libër që shumica e analistëve që flasin për të, në fakt nuk e kanë lexuar kurrë. Por ne po, e kemi lexuar.

Nëse do ta kishin lexuar, do t’u duhej të përmendnin të paktën dy elementë thelbësorë që rrëzojnë përrallën berishiane. Elementi i parë është se vetë gazetari shkruan se takimi misterioz në Aruba përmendet në një dosje të quajtur “Enigma”, e hapur nga Prokuroria e Firences në vitin 2018 por që më pas, siç pranon vetë autori, është arkivuar. Dhe këtë e përsërit dy herë, për të shmangur çdo keqkuptim (faqe 233 dhe 240). Pra, as autoritetet italiane nuk i kanë dhënë peshë ekzistencës së atij takimi, e aq më pak mundësisë që ai të përbëjë provë për ndonjë vepër penale. Ndaj, dosja është arkivuar.

Elementi i dytë që analistët e opozitës ose nuk e kanë lexuar, ose e fshehin qëllimisht për të mbajtur në ajër tullumbacen, ka të bëjë me origjinën e informacionit mbi Aruba-n dhe përfshirjen (hipotetike) të përfaqësuesve të qeverisë Rama. Lajmi buron nga një raport i policisë italiane, dërguar prokurorisë së Firences, e njëjta prokurori që më pas e arkivoi çështjen. Në atë informatë përmenden me saktesi emrat e përfaqësuesve të krimit shqiptar që dyshohet të kenë qenë prezentë në takimin e zhvilluar midis datave 24 dhe 31 janar 2019 në Aruba (faqe 238 e librit), por, çuditërisht, nuk përmendet asnjë emër i ndonjë përfaqësuesi politik prezent të lidhur me qeverinë. Përse? Sepse, siç duket, as hetuesit italianë nuk kanë pasur ndonjëherë prova apo siguri që këta përfaqësues politikë të kenë qenë realisht në Aruba.

Lexo edhe :  SPAK çon për gjykim kryetaren në detyrë të Tropojës

Pra, ajo që për policinë italiane ishte një hipotezë, e cila u arkivua nga prokuroria italiane, shndërrohet në fakt në gojën e opozitës shqiptare dhe në mediat që e mbështesin, të cilët mbi shpifjet dhe gënjeshtrat kanë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtojnë fitoren elektorale të Edi Ramës. Siç shkruan Nello Trocchia (faqe 241): “Proces? Jo. Vendime gjyqësore? Asnjë.”

Sikur të mos mjaftonte kjo, ka edhe një detaj tjetër që meriton vëmendje. Sipas raportit të policisë italiane të cituar në libër (faqe 254), qëllimi i takimit në Aruba ishte për të diskutuar ndërtimin e një kulle në qendër të Tiranës! Po seriozisht tani: a ka ndonjë shqiptar që beson se për të diskutuar ndërtimin e një kulle në Tiranë, duhet të fshihesh në Aruba?

Pjesa tjetër e kapitullit të librit kushtuar takimit hipotetik në Aruba përmban thjesht një përmbledhje emrash dhe përgjimesh të përfshira në të njëjtën dosje tashmë të mbyllur ne Firence, si dhe në dosje të tjera po ashtu të arkivuara ne Lecce pa asnjë dënim nga autoritetet italiane, ku përmenden ndër të tjera trafikantë që më parë kanë qenë bashkëpunëtorë të Sali Berishës, dhëndurë mafiozë të ish-ministrave të tij dhe madje edhe disa nga aleatët e tij politikë duke përfshirë edhe një ish-prokurorin e tij të përgjithshëm (faqe241-245). Por këtë pjesë, as Sali Berisha dhe as analistët e tij nuk e përmendin. Dhe ndoshta bëjnë mire sepse, ashtu si rasti i Arubës, janë hipoteza interesante për t’u treguar në një libër, por jo për të çuar në ndonjë dënim penal. E aq më pak, për të ndërtuar fushata politike.

Të paktën jo nga ata që kanë ende mbi supe skandalin “Babale”. m.p.