Leonard Farruku dhe misteri në anijen-hotel/ Çfarë çoi në tragjedi?

Procesi gjyqësor për Leonard Farrukun, shqiptarin që u gjet i vdekur në anijen-hotel Bibby Stockholm, po shkon drejt përfundimit. Mjekja ligjore Rachael Griffin ka njoftuar se pritet të japë përfundimin e hetimit më 2 tetor, duke zbuluar arsyet që çuan në vdekjen e 27-vjeçarit.

Farruku u gjet pa ndjenja më 12 dhjetor 2023 në një kabinë dushi në Portin Portland, Dorset. Sipas hetimit pas vdekjes, shkaku ishte ngjeshja në qafë dhe varja me një litar.

Motrat e tij, Marsida Keçi dhe Jola Dushku, shprehën shqetësime mbi transferimin e Leonardit në Bibby Stockholm, duke përmendur historikun e tij të shëndetit mendor pas vdekjes së prindërve.

Mjekja ligjore Griffin theksoi se nuk ka prova që tregojnë racizëm apo trajtim të papërshtatshëm ndaj Leonardit dhe se ai nuk kishte ngritur ankesa për kushtet në bord.

Një bashkëpunëtor i tij në anije, Yusuf Kargbo, dëshmoi se Farruku ishte i qetë dhe pa miq, kalonte kohën duke parë telefonin dhe duke u marrë me punët e tij, ndërsa shpesh qeshte me videot që shikonte.

Hetimi pritet të japë përgjigje përfundimtare mbi rrethanat që çuan në tragjedinë e Leonard Farrukut dhe do të publikohet javën e ardhshme./E.S