Nëna e Elis Rroshkodolit flet për herë të parë: Djalin ma vrau…

Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala, transmetoi këtë të martë, dëshminë e nënës së Elis Rroshkodolit, i vrarë me armë zjarri , teksa po konsumonte kafe në një lokal në qytetin e Shkodrës.

Kjo është hera e parë që Lindita flet në media duke dhënë versionin e saj për ngjarjen e rëndë të 30 gushtit kur djalit të saj iu pre jeta në mes në moshën 36 vjeç. Lindita Rroshkodoli, është një grua e mbetur e ve që në vitin 1993, kur i shoqi u qëllua po në një lokal teksa ishte kthyer nga një varrim.

“Burri kur u vra ishte me një shok duke pirë kafe. Dhe ky quhej Hys. Dhe e thërrasin Hysën të dalë si dëshmitar. Ai nuk pranonte, kishte frikë, apo ndjente presion, nuk e di. Dhe e thërrasin dy kunetërit e mi, vëllezërit e burrit. Ore nuk do të të bëjmë gjë. Vetëm trego. Në atë kohë kunati i vogël e plagos Hysën dhe ai ngel invalid. Tani ia faturuan djalit”– thotë ajo.

Plagosja e dëshmitarit tashmë ishte një plagë e hapur për familjen Rroshkodoli, që ndërsa kërkonte drejtësi për kryefamiljarin e humbur, duhej të përballej tashmë me një gjak të pashlyer. Për t’i shpëtuar gjakmarrjes, Lindita tregon se vendosi të dërgojë djemtë në azil, së pari djalin e madh Elisin.

“Shumë sakrifica si nënë. Mbaroi klasën e 8. Kisha ngacmime, Merri fëmijët dhe largohu nga Shkodra. Ku do ikja? Lekë nuk kisha, pasaportë nuk kisha. Djemtë u rritën. Frika më hyri më shumë. Se mi ngacmonin njerëzit. Do merrni gjakun”, thotë ajo për emisionin “Në Shënjestër”. m.p.