Etleva Skonja
Asim Vokshi është zgjedhur sot, më 30 shtator 2025, anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Ai do të zëvendësojë Holta Zaçajn, e cila dha dorëheqjen gjatë mandatit të saj.
Si u zgjodh Asim Vokshi?
Në garë për këtë pozicion ishin tre kandidatë: Asim Vokshi, Naureda Llagami dhe Florian Ballhysa. Në votimin e zhvilluar nga Gjykata e Lartë, asnjë kandidat nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 3/5 të votave të gjyqtarëve të pranishëm. Në këto kushte, sipas ligjit, u zgjodh kandidati që kishte marrë më shumë pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili ishte Asim Vokshi. Ai kishte marrë 89.5 pikë, ndërsa Llagami 89.3 dhe Ballhysa 77.83.
Rezultatet e votimit:
Asim Vokshi – 6 vota
Naureda Llagami – 8 vota
Florian Ballhysa – 0 vota
Një fletë votimi e pavlefshme
Pavarësisht se Llagami mori më shumë vota, ajo nuk kishte renditjen më të lartë nga KED, prandaj Vokshi u shpall fitues.
Përballja e Vokshit me Vettingun
Gjyqtari Asim Vokshi është përballur në vitin 2020 me procesin e Vettingut.
Në të njëjtin proces u konstatua se e gjyqtari Vokshi zotëronte 1.5 milionë lekë pasuri në vitin 2005, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 9.4 milionë lekëve, duke shënuar rritje me 6 herë.
Në vitin 2017, pasuria e tij familjare përfshinte likuiditete bankare prej 6.6 milionë lekësh, kursime në cash prej 2.3 milionë lekësh dhe një automjet me vlerë 504 mijë lekë. Ai gjithashtu ka deklaruar pronësinë e një apartamenti të dhuruar nga prindërit e tij.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese, pra në kohën e Vettingut, janë 19.4 milionë lekë. Rreth 63% e të ardhurave ka si burim pagën nga funksioni i gjyqtarit, ndërsa 24% e të ardhurave burojnë nga paga e bashkëshortes. Subjekti ka siguruar rreth 3% të të ardhurave nga mësimdhënia, ndërsa 9% llogariten si të ardhura nga burime të tjera.
Megjithatë, gjatë procesit të vettingut, Vokshi u përball me disa sfida. Një prej tyre ishte dhurimi i një apartamenti prej 44 m² me vlerë 21.350 euro nga prindërit e tij, për të cilin ai kishte vështirësi në sigurimin e dokumenteve të nevojshme për të provuar ligjshmërinë e burimeve të pasurisë. Për këtë arsye, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e ka vënë në vështirësi, duke kërkuar më shumë prova dhe shpjegime nga ana e tij.
Siç doli nga relatimi, Vokshit i kishte kaluar barra e provës për të dokumentuar të ardhurat e prindërve pas përfitimit përmes dhurimit të një apartamenti 44 metra 2 me vlerë prej 21.350 euro.
Gjyqtari u përball po ashtu me një raport negativ të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, i cili e akuzonte atë ndër të tjera për mungesë burimesh, për fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe refuzim për të deklaruar.
Vokshi kishte deklaruar si burim të prindërve kursimet e tyre në vite, të ardhurat nga biznesi dhe trashëgimia si dhe shitblerjen e pasurive të paluajtshme.
Por Komisioni vuri në dukje se nga hetimi kishte mungesë dokumentacioni për të provuar këto të ardhura. Sipas KPK nuk provoheshin të ardhurat e babait nga aktiviteti privat për rreth 1.2 milionë lekë.
Gjithnjë, sipas Komisionit, nuk kishte asnjë dokument provues për aktivitetin tregtar të prindërve, prej të cilit supozohej se ishin kursyer 5 milionë lekë. Drejtoritë e tatimeve në Shkodër dhe në Lezhë kishin mohuar se prindërit e Vokshit ishin rregjistruar.
Po ashtu u tha se mungonte dokumentacioni provues për 40 mijë marka gjermane, rreth 2.4 milionë lekë të përfituara nga trashëgimia e babait në Kosovë në fillim të viteve 2000. Sipas hetimeve rezultonte se gjyshi i Vokshit kishte lënë në Kosovë në vitin 44’ pasuri të paluajtshme dhe se xhaxhai i tij, pas luftës në Kosovë ishte interesuar te të afërmit atje dhe bashkë me të tjerë trashëgimtarë, kishin marrë një shpërblim finaciar rreth kësaj prone.
Më tej KPK kishte konstatuar se të paktën një nga kontratat e shit-blerjes së pasurive të paluajtshme prej të cilave kishte siguruar të ardhura babai rezultonte e dyshimtë. Sipas të dhënave nga hetimi, pasuria ishte blerë nga babai i Vokshit dhe pas 3 vitesh, i ishte shitur pronarit fillestar me një çmim dy herë më të lartë.
Në fjalën e tij, duke iu referuar shpjegimeve të dhëna me shkrim, Vokshi nuk ndaloi në ndonjë prej çështjeve të ngritura, ndërsa tha se kishte sjellë prova siç kërkoheshin nga ligji dhe se kishte sjellë dokumente shtesë për të provuar disa të ardhura të babait.
Dhe pavarësisht këtyre sfidave, Vokshi ka kaluar me sukses procesin e vettingut dhe është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke u renditur i pari në listën e kandidatëve./Fjala.al