Para mbarimit të mandatit/ Ambasadori i OSBE-së në zyrën e Dumanit

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, u takua me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, për të riafirmuar bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv midis Prezencës së OSBE-së dhe këtij institucioni të drejtësisë.

Gjatë takimit, ambasadori vlerësoi rolin kyç të SPAK-ut në forcimin e shtetit të së drejtës, përmes ndjekjes penale të korrupsionit dhe rritjes së transparencës, integritetit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e punës së SPAK-ut në adresimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

Tarran dhe Dumani diskutuan për fushat aktuale dhe të ardhshme të bashkëpunimit dhe mënyrat për të rritur mbështetjen e OSBE-së në përputhje me objektivat strategjikë të SPAK-ut. Ambasadori nënvizoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse me institucionet e tjera për të adresuar çështje si përqindja e lartë e të paraburgosurve në Shqipëri.

Në kuadër të bashkëpunimit, OSBE po përgatit një trajnim të ri për parandalimin e pastrimit të parave, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në hetime komplekse. Që nga viti 2021, prezenca e OSBE-së ka bashkëpunuar me SPAK dhe aktorë të tjerë të drejtësisë përmes projektit rajonal të monitorimit të proceseve gjyqësore, trajnimeve dhe tryezave të specializuara për prokurimet publike, kërkimin ligjor dhe kontratat PPP.

Prezenca e OSBE-së konfirmoi angazhimin e saj për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe për të avancuar reformën në drejtësi.