Konsumi final i popullatës në 6-mujorin e parë të vitit 2025 u rrit me ritme më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë 2025 konsumi final i popullatës u rrit me 3.8%, nga 5.1% që ishte në të njëjtën periudhë të 2024. Në tremujorin e parë 2025, konsumi u rrit me 2.5%, ndërsa një vit më parë 4.6%.
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se konsumi po mban një ritëm pozitiv, me rritje prej rreth 3% në dy tremujorët e parë, duke reflektuar një balancë mes ndikimit të faktorëve të jashtëm si kursi i këmbimit dhe çmimet e importit dhe faktorëve të brendshëm si rritja e pagave dhe aktiviteti turistik.
Tabloja e konsumit në këto vite reflekton efektin e krizave të njëpasnjëshme, si pandemia, lufta në Ukrainë me inflacionin e lartë, por edhe aftësinë e ekonomisë shqiptare për t’u përshtatur dhe për të ruajtur rritjen ekonomike në një nivel të qëndrueshëm vitet e fundit.
Pas një rritjeje të fortë në fillim të periudhës 2019, me kulme mbi 6% në T2, konsumi pësoi një tkurrje të ndjeshme gjatë vitit 2020, sidomos në T2 kur pandemia e COVID-19 solli rënie me mbi 14%. Kjo periudhë reflekton kufizimet e lëvizjes, pasigurinë ekonomike dhe tkurrjen e të ardhurave të familjeve.
Në vijim, gjatë 2021 dhe 2022, konsumi final u rimëkëmb me ritme të forta, duke regjistruar norma rritjeje që në disa tremujorë kapën mbi 7%. Rimëkëmbja erdhi me rritjen e remitancave, si dhe me një rritje të fortë të turizmit dhe shpenzimeve të brendshme pas kufizimeve të pandemisë.
Në vitin 2023, ritmet e rritjes filluan të zbehen ndjeshëm. Pavarësisht një performance pozitive, norma e rritjes zbriti nën 1% në disa tremujorë si pasojë e rënies së fuqisë blerëse nga inflacioni i lartë dhe shtrenjtimi i produkteve bazë.
Gjatë vitit 2024 u vu re një stabilizim me rritje 4%. Rritja e konsumit u mbajt nga rritja e pagave dhe remitancat.
Vitin e fundit, konsumi i popullatës është ndikuar më së shumti nga rritja e pagave si në sektorin privat dhe më shumë në atë publik. Biznesi dhe qeveria rritën pagat me ritme më të larta nën presionin e mungesës së kapitalit human, teksa produktiviteti nuk po ndjek të njëjtin ritëm.
Burimet e rritjes së konsumit gjithsesi janë në rrezik nga rritja e çmimeve dhe luhatjet e fluksit të turistëve, të cilët kanë qenë promotorë të rritjes pas pandemisë./ Monitor