Ali Ahmeti nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

Politikani i lartë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti është nderuar me titullin Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Vlerësim të cilin ai e merr për betejën për të drejtat e shqiptarëve në mbrojtjen e çështjes kombëtare.

“Sot pata nderin e veçantë të pranoj titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë të përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju, për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku në këtë rrugë të gjatë. Jam mirënjohës për këtë nderim dhe i vendosur që të vazhdojmë punën për çështjen kombëtare dhe për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, shkruan Ali Ahmeti.

Ai është ndër politikanët shqiptar më të njohur dhe më me ndikim në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi. Në vitet 1988/89 ai ka qenë një nga udhëheqësit e protestave të minatorëve dhe studentëve duke sfiduar seriozisht regjimin e Sllobodan Miloseviçit.

Ai njihet gjithashtu edhe për ndikimin dhe rolin aktiv në ngjarjet e Kosovës. Në vitit ’86 Ali Ahmeti ka pasur rol kryesor ndërlidhjen e Kosovës me Evropën.

Është ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998 kur filloi lufta zgjidhet si nga të parët anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 2001, gjatë luftës në Maqedoni Ali Ahmeti zgjidhet Komandant Suprem dhe përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në gusht të vitit 2001 dhe çarmatimit të UÇK-së në shtator, Ali Ahmeti u angazhua në procesin politik të zbatimit të marrëveshjes. Ai inicoi dhe u emërua udhëheqës i Këshillit Koordinues i cili bashkoi të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe ish-strukturat e UÇK-së. m.p.