Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në komunikimin mujor me mediat ka bërë të ditur se komisionet për transfertat digjitale në euro dhe në lekë, do të ulen deri në 10 herë. Sipas tij, ky është një përfitim nga digjitalizimi por edhe nga përfshirja e vendit në sistemet europiane të pagesave.
“Përvec hyrjes në SEPA, edhe sistemi i pagesave të shpejta me Bankën e Italisë do të jetë operacional në vitin 2026. Me këtë sistem që përdoret në gjithë vendet e BE pagesat e shpejta do të kryhen në 24 orë në 7 ditë të javës. Ata do të jenë me kosto minimale.
Digjitalizimi i sistemit të pagesave do të sjellë ulje të ndjeshme të përdorimit të cash-it në ekonomi. Në të njëjtën kohë do të ketë lehtësi maksimale për transfertat dhe ulje të konsiderueshme të kostove të tyre. Më 7 tetor operacionalisht do të jemi në SEPA. Kjo shumë më të lira transfertat në euro”, është shprehur ai.
Gent Sejko ka theksuar se vendimi i fundit i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të qenë sinkron me SEPA-n i ka ulur me 10 herë edhe komisionet për transfertat digjitale në lekë.
Kështu deri në 40 mijë lekë transferat digjitale do të jenë me kosto zero, mbi 40 mijë lek deri në 10 milionë lekë kanë komision 0.005 të vlerës dhe jo më shumë se 500 lekë për transfertë, mbi 10 milionë lekë maksimumi i komisionit të çdo transfertë nuk do të jetë më shumë se 750 lekë.
Pra, nuk do ketë asnjë komision për transferta digjitale mbi 750 lekë. Me hyrjen në SEPA tranfertat në euro me vlerë deri në 100 mijë euro, do të jetë 0.001 e vlerës. Për shuma më lart nuk do të ketë asnjë komision mbi 25 euro.
“Mos harroni se më parë janë aplikuar komisione deri në 200 euro. Për qytetarët që marrin para nga remitancat, transfertat në euro nuk shkojnë më shumë se 3 euro. Pra do të kemi transferta shumë më të shpejta, shumë më të sigurta dhe shumë më të lira”, është shprehur Guvernatori.
Në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit.
Kostot e transfertave digjitale në lekë
Nga 0-40 mijë lekë – zero komision
Nga 40 mijë – 10 milionë lekë – komisioni jo më shumë se 500 lekë
Mbi 10 milionë lekë – komisioni jo më shumë se 750 lekë
Kostot e transfertave digjitale në euro
Deri në 100 mijë – 0.001 për qind e vlerës, jo më shumë se 3 euro
Mbi 100 mijë euro – jo më shumë se 25 euro m.p.