Nga Fejzo Subashi
Më në fund duket sikur opozita e lodhur shqiptare ka gjetur dritën në fund të tunelit. Dhe kjo është pikërisht ajo që presin qytetarët: Një figurë me integritet, jo me dosje të kalbura, apo një fikgur që përpëlitet nëpër kafenetë e politikës. Le ta themi troç: Qytetarët janë të lodhur, të stresuar dhe të mërzitur nga kandidatët që ngjajnë më shumë me kontrabandistë mandatesh sesa me shërbyes publikë. Tiranës nuk i duhen më emra të konsumuar, që nuk kan çfarë ti japin më politikës, vetëm e mjelin mesa të munden, nuk i duhen kandidat as eksperimente që dështojnë pa nisur. Ndaj kjo kandidaturë nuk është vetëm një mundësi, është një provë nëse opozita më në fund ka kuptuar ku ka gabuar për 30 vjet, është një ndërgjegjësim i opozitës përballë votuesve të saj dhe çfarë kërkojnë dhe presin qytetarët.
Është pikërisht ky modeli që qytetarët presin prej opozitës dhe prej politikës shqiptare: një kandidaturë me integritet, me emër të pastër, dhe me vlerë reale publike. Nuk ka zgjedhje më të mirë. Nuk ka kandidaturë më të denjë. Ky është rasti kur emri i një njeriu i bën nder jo vetëm qytetarëve të Tiranës, jo vetëm opozitës, por edhe vetë klasës politike shqiptare, që aq shpesh e ka ulur vetveten dhe nivelin e politikës nën pritshmërinë dhe nivelin qytetar.
Emri është Ermal Hasimja. Ai reagoi pas përfshirjes së tij në listën e kandidatëve të opozitës për garën në Bashkinë e Tiranës. Me ton të qartë dhe të matur, Hasimja tha se ndihet i vlerësuar për këtë propozim dhe falënderoi ata që e kanë hedhur apo mbështetur idenë. “Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar, do të mund të mendohem dhe të marr një vendim,” u shpreh ai, duke e lënë të hapur portën për një vendimmarrje të matur, jo të nxituar. Kjo e lë topin në fushën e Opozitës.
Në reagimin e tij, Hasimja nuk harroi të vlerësonte edhe dy emrat e tjerë të listës, Florian Haçkaj dhe Edlira Çepani, të cilët i cilësoi si kandidatë të denjë për opozitën. Një gjest qytetarie e modestie, që vetëm sa forcon profilin e tij publik, i cili tregon qytetarin, civilizimin dhe kulturën e tij, për të cilën kemi nevojë.
Nga ana tjetër, opozita ka bërë të ditur se është dakordësuar për të pasur një kandidat të përbashkët, një vendim që pritet të finalizohet përballë kandidaturës së mazhorancës, Ogerta Manastirliu.
Pyetja është e thjeshtë: a do të ketë opozita guximin dhe maturinë për ta bërë këtë kthesë reale, apo do të mbetet sërish peng i pazareve të brendshme?
Tani topi është në fushën e opozitës. A do të ketë kurajë të bëjë një kthesë reale, apo do të kthehet tek recetat e vjetra të humbjes së sigurt? A do të përzgjedhë një kandidaturë që i bën nder qytetarëve, apo do të dorëzojë sërish Tiranën në tavolinën e pazareve të brendshme?
Sepse një gjë është e qartë: këtë herë nuk është thjesht zgjedhja e kandidatit – është testi i fundit i seriozitetit të opozitës. Nëse edhe këtë herë gabon, askërkush nui do ta marrë më seriozisht nesër politikbërjen, qëllimin dhe objektivin e opozitës!