Ish-deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli, ka komentuar në “Euronews Albania” dekretin e Presidentit Bajram Begaj që shpalli zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki, përfshirë edhe Tiranën.
Kadilli u shpreh se Begaj i ka bërë një dëm të madh institucionit që drejton pasi Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Tiranën për shkak të çështjes Veliaj.
Ish-deputeti u shpreh se Erion Veliaj mund të fitojë sërish zemrat e publikut duke u bërë i penduari i drejtësisë. Sakaq, Fatbardh Kadilli, tregoi dy arsyet përse Edi Rama “hoqi qafe” Erion Veliajn.
“Fakti që ka një ankim në Kushtetuese, e detyron Presidentin që të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Marrja e atributeve që e vlerëson vetë atë që i takon ta vlerësojë Kushtetuesja, është një nga dëmet e mëdhaja që i bëhet institucionit të Presidentit.
Nesër çdo President mund të thotë e gjykova unë të arsyeshme kundër çdo llojë çështjeje që ka të bëjë me Kushtetuesen. Kushtetuesja nuk e informoi formalisht dhe Presidenti mund ta përdorë këtë.
Sa i përket reagimit të parë të Veliajt, të gjithë presin që në Shqipëri të ketë të penduar të drejtësisë. Në përvojën e deritanishme, çdo politikan që ka pas probleme me drejtësinë, ka përdorur mjetet politike, të përdorë presionin politik.
Nuk besoj se Veliaj do bëjë përjashtim nga kjo. Ajo që na ka mësuar përvoja është që politikanët e kanë më kollaj të vdesin si heronj në burg apo jashtë burgut sesa si hajdutë të korruptuar apo njerëz që kanë bashkëpunuar me krimin.
Uroj të ndodhë nëse Veliaj do të rikuperojë. S’ka qenë fytyrë e pëlqyer. Në pushtet, natyrë demagoge, i shtirur, nuk tërhiqte simpati. Nëse do ta fitojë publikun, ky është rasti.
Rama ka dy synime kryesore. E para, të çmarkohet nga përgjegjësia, pesha politike dhe juridike e Veliajt. Të tregojë dhe të bindë opinionin publik që është distancuar nga bashkëpunëtori i tij më i afërt, i projektuar nga imagjinata e secilit prej nesh dhe si trashëgimtar i PS, duke u nisur nga mosha dhe investimi politik për të.
E lë në dorë të drejtësisë dhe nuk jep mbështetje politike. Pra që PS nuk i mbron politikanët e vet përballë drejtësisë.
E dyta, ai ka nevojë që një ballafaqim i shpejtë elektoral është në avantazh të mazhorancës, përfiton nga situata e dobët e opozitës, do një fitore të thellë dhe bindëse.
Rama do që të ketë një test elektoral për të poshtëruar opozitën. Opozita është në konfuzion total për fajin e vetes. Veliaj është në arrest prej 8 muajsh dhe opozita duhet të ishte e përgatitur.”-tha Kadilli. m.p.