Arrestimi i Erion Veliajt, dorëheqja e papritur e Ermal Dredhës, emërimi ministër i Andis Sallës dhe zgjedhja deputet e Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, do të dërgojë në zgjedhje të parakohshme vendore 1/3 e popullsisë me të drejtë vote.
Janë mbi 1 milionë shqiptarë që thirren të votojnë më 9 nëntor në zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë.
Duke ju referuar shifrave të zgjedhjeve të fundit lokale, numri i votuesve në Tiranë, bashkinë më të madhe të vendit, është afro 700 mijë. Gjithsesi, herën e fundit, në 940 qendrat e votimit që janë ngritur u paraqitën afro 300 mijë votues.
Në Mat do të ngrihen 49 qendra votimi, për të pritur 30 mijë zgjedhës, edhe pse para dy vitesh, morën pjesë më pak se gjysma e tyre. 38 mijë zgjedhës ka të regjistruar Bashkia e Cërrikut, por në vitin 2023 votuan vetëm 12 mijë, në 58 qendrat e votimit të hapura.
Në bashkinë Berat do të ngrihen 117 qendra votimi në shërbim të afro 81 qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e fundit ishte 28 mijë banorë. Vlora, me një shtrirje të gjerë gjeografike, ngre 226 qendra votimi për 168 mijë zgjedhës, edhe pse vetëm 41 mijë shkuan tek kutia e votimit para 2 vjetësh.
Në Tepelenë do të hapen vetëm 22 qendra votimi, për një listë me 12 700 zgjedhës, ku afro 5 mijë ushtrojnë të drejtën e votës. Votuesit e këtyre bashkive do të kenë vetëm një fletë votimi për kryetarin e bashkisë, pasi këshillat bashkiakë të zgjedhur në vitin 2023 janë funksionalë në të gjitha bashkitë që shkojnë në zgjedhje.
Kryetarët që do të dalin nga 9 nëntori do të ushtrojnë një mandat të pjesshëm deri në pranverën e vitit 2027, si të gjithë kryebashkiakët e tjerë. Të gjashta bashkitë që shkojnë në zgjedhje janë fituar nga Partia Socialiste para dy vitesh. m.p.