Përfaqësuesja e PD-së Artjola Tabaku mbrëmjen e sotme ka qenë e ftuar në emisionin “Studion Live” me gazetar Ermal Qorin, ku ajo ka diskutuar për garën e Bashkisë së Tiranës dhe strategjinë e opozitës.
Tabaku është shprehur se do të preferonte Ilir Alimehmeti në garën për Bashkinë Tiranë, por është qasja që kandidati i opozitës të jetë mbi palët.
“Nisur nga protestat para Bashkisë Tiranë, unë mendoj që kandidati i opozitës, duhet të jetë nga ata që sot janë Këshilltarët Bashkiak të PD-së në Tiranë. Unë e orientoj mendimin tim tek doktor Ilir Alimehmeti. Ai nuk është tërhequr, por qasja është tani që kandidati të jetë mbi palët, për mua sjell vetëm risi të mira, pasi kemi një kundërshtarë të përbashkët që është Rama”, tha Tabaku.
Ajo shtoi se PD-ja nuk mund të bojkotojë zgjedhjet, pasi statuti i saj ka ndryshuar në vitin 2022 dhe e ndalon këtë veprim.
“Statuti i PD-së i ndryshuar në vitin 2022, ndalon bojkotin e zgjedhjeve, pra partia Demokratike nuk i bojkoton zgjedhjet dhe nuk djeg mandatet në Parlament. Ndërsa sa i përket këtyre zgjedhjeve, do jetë vendimi i forumeve të PD-së dhe tryezës së përbashkët me partitë e tjera opozitare, sesi do veprohet me zgjedhjet”, tha Tabaku. m.p.