Ilir Proda: Asnjë viktimë e dhunës nuk është vetëm

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët: “Zero tolerancë ndaj çdo forme dhune, veçanërisht ndaj dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore”.

“Në këtë ditë simbolike, ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës, kudo dhe në çdo formë. Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të mbrojtur viktimat dhe për të ndëshkuar autorët”, u shpreh Proda, duke theksuar më tej se asnjë viktimë e dhunës nuk është vetëm dhe se Policia është e gatshme në çdo moment për të ndërhyrë dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës, ne i bashkojmë zërin tonë thirrjes botërore për t’i dhënë fund çdo forme dhune, sidomos dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Policia e Shtetit ka një angazhim të qartë dhe të palëkundur: zero tolerancë ndaj dhunës.

Asnjë viktimë e dhunës nuk është vetëm! Dyert tona janë të hapura në çdo kohë, ditë e natë; oficerët e policisë janë të trajnuar për t’ju mbështetur dhe çdo thirrje në numrin 112 trajtohet me prioritet maksimal.

Policia është në krahun tuaj, për t’ju mbrojtur dhe për të ndëshkuar autorët e dhunës. Ftoj të gjithë qytetarët të mos heshtin. Heshtja mbron autorët, ndërsa denoncimi shpëton jetë. Dhuna nuk është problem individual, por një kërcënim për sigurinë dhe mirëqenien e shoqërisë sonë. Vetëm duke raportuar dhe duke bashkëpunuar, ne mund ta ndalim dhunën dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt. Raportoni, për të parandaluar dhunën dhe për të ndëshkuar autorët”, tha Proda ndër të tjera. m.p.