Dekreti i Presidentit Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që avokatët e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj janë duke vijuar betejën në Kushtetuese.
Burime për mediat bëjnë me dije se mbrojtja e Veliajt në akimimin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka përfshirë edhe dekretin dhe pezullimin e tij të pjesshëm, për sa i përket pjesës së zgjedhjeve në Tiranë.
“Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri”, thuhet në shkresë.
Më herët dekreti i presidentit Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën, u botua në Fletoren Zyrtare.
Në dekretin e firmosur dje, më 1 tetor, Begaj ka caktuar datën 9 nëntor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve në bashkitë: Tiranë, Berat, Tepelenë, Vlorë, Cërrik dhe Mat.
Publikimi në Fletoren Zyrtare e bën dekretin zyrtarisht të detyrueshëm për institucionet përkatëse, duke i hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të filluar përgatitjet për organizimin e procesit zgjedhor.
Ndërkohë nga ana tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i propozoi Komisionit Rregullator datën 1 nëntor për çeljen e fushatës zgjedhore për garën në 6 bashkitë e vendit. Teksa ky propozim është ene në konsultim, mësohet se sipas draftit të gjitha partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje është propozuar data 11 tetor si afati i fundit për dorëzimin e kërkesës për regjistrim, ndërsa për kandidatët data 19 tetor.
Koalicionet kanë afat jo më vonë se data 16 tetor ndërsa Zyra e Gjendjes Civile propozohet të nisë hartimin listave zgjedhore jo më vonë se data 11 tetor. m.p.