Presidentja Osmani nga Danimarka: Serbia dhe Rusia kërcënim për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos “e shpërbëjë Beogradin”.

Para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian në Konpenhagë të Danimarkës, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.

“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani./kb