Pagesa e taksave të mjeteve e cila nga 30 shtatori kryhet nëpërmjet aplikacionit e-Albania dhe pa kosto shtesë, është opsionale, çka do të thotë se sportelet do të vazhdojnë të japin shërbime për përdoruesit e mjeteve të cilët nuk kanë akses online.
“Opsioni i pagesës vijon të jetë edhe në sportelet tona. Qytetari ka mundësi të zgjedhë ose përmes platformës e-Albania, ose në sportelet fizike që ndodhen në çdo drejtori rajonale”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Endri Haxhiu.
Sipas tij, kjo risi vjen për të lehtësuat qytetarët dhe për të ulur kostot.
“Eliminimi i kostove financiare shkon në rreth 57 milionë lekë të rinj. Qytetarët kursejnë rreth 11 mijë ditë nga ecejaket. Përkthehet edhe në eliminimin e 4,7 milionë kilometrave rrugë, si dhe në eliminimin e 331 mijë litrave karburant”, shtoi Haxhiu.
Por cilat janë hapat praktike për kryerjen e pagesës nëpërmjet aplikacionit e-Albania?
“Qytetari shkon te rubrika “Paguaj taksat e mjetit”. Ndjek të gjitha hapat aty. Në fund të gjithë procesit, pasi ai kryen pagesën, vjen mesazhi te “Mesazhet e mia”, po në e-Albania, pulla e taksës, ku ai, menjëherë, në momentin që ka paguar, në sistemin tonë del e paguar taksa e mjetit respektiv”, përfundoi ai.
Paralelisht me këtë nismë, Drejtoria e Transportit Rrugor po bashkëpunon me të gjitha bankat e nivelit të dytë për të rritur gamën e procesit të pagesave./kb