Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të pushojë gjykimin ndaj deputetit Flamur Noka dhe shoqërisë tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k”, të paditur nga Gjergj Vishkulli për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht.
Sipas vendimit Nr. 62, datë 3 tetor 2025, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj vendosi pushimin e çështjes me argumentin se pala e dëmtuar-akuzuese, Gjergj Vishkulli, nuk është paraqitur në seancë pa shkaqe të përligjura.
Në kërkesën e paraqitur pranë gjykatës, Vishkulli kishte kërkuar:
deklarimin fajtor të të paditurve për shpifje,
dëmshpërblim për cenimin e nderit, personalitetit dhe imazhit profesional,
si dhe detyrimin e tyre për të përgënjeshtruar publikisht lajmin e botuar në portalin që ata administrojnë.
Gjykata, duke pushuar çështjen, vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të deritanishme t’i ngarkohen paditësit.
Vendimi mund të ankimohet nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda afatit ligjor./E.S