Kosova arreston një shtetas të Serbisë për sulm ndaj policëve në Jarinjë!

Screenshot

Një shtetas i Serbisë u arrestua dhe u dërgua në qeli, pasi sulmoi efektivë në pikën kufitare të Jarinjës, siç bëri të ditur Policia e Kosovës. Ngjarja ndodhi dje e një polic mori trajtim mjekësor, sipas raportit 24-orësh të Policisë. Për këtë rast, forcat e rendit nuk kanë dhënë detaje të tjera.

Pika kufitare e Jarinjës gjendet në Leposaviç, njëra nga katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe e që lidh Kosovën me Serbinë. Përveç Jarinjës, pikat e tjera kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë të Bërnjakut, Merdarës, Mutivodës, Dheut të Bardhë e Muçibabës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra e zyrtarisht, të dyja shtetet nuk e kanë kryer procesin e demarkacionit të kufirit. Gjatë viteve të fundit, në vijën kufitare kanë ndodhur disa incidente.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, që nga përfundimi i luftës më 1999-ën përkujdeset për sigurinë e kufijve të Kosovës.

Ky mision e ka këtë përgjegjësi bazuar në atë që njihet si Marrëveshje Ushtarako-Teknike e Kumanovës, e cila i ka dhënë fund luftës në Kosovë. Serbia e ka nënshkruar këtë marrëveshje me NATO-n në vitin 1999, duke i tërhequr më pas të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova. Megjithatë, që nga viti 1999 edhe Policia e Kosovës kryen patrullime në vijën kufitare./kb