Bizneset debitore nuk do të njoftohen më për detyrimet tatimore të papaguara përmes postës fizike, por në mënyrë elektronike, përmes sistemit e-Filing.
Administrata Tatimore bën të ditur se, duke filluar nga data 15 korrik, njoftimet dhe kërkesat për pagesën e detyrimeve tatimore po gjenerohen automatikisht në sistemin elektronik e-Filing, të pajisura me vulë elektronike dhe me vlerë të plotë ligjore.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të afatit ligjor për mbledhjen me forcë të borxhit tatimor, çdo dokument i lidhur me detyrimet e pashlyera, të lindura nga vetëdeklarimet ose nga aktet e vlerësimit dhe kontrollit të administratës tatimore, gjenerohet në seksionin “e-Filing im”, nënseksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë elektronike të tatimpaguesit.
“Dokumenti përmban vulën elektronike të Drejtorisë Rajonale të Borxhit, në përputhje me rajonin përkatës, dhe ka vlerë të plotë ligjore. Si rrjedhojë, nuk do të dërgohet më fizikisht me postë”, thekson Administrata Tatimore.
Ky zhvillim vlerësohet si një hap drejt rritjes së transparencës dhe efikasitetit në komunikimin me bizneset, si dhe synon të garantojë informim në kohë reale për detyrimet tatimore, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga ana e tatimpaguesve për shlyerjen e tyre.
Administrata Tatimore thekson se përmes përmirësimit të shërbimeve elektronike synon të parandalojë masat ndëshkuese dhe të forcojë administrimin efikas të detyrimeve tatimore. m.p.