Një tjetër kryebashkiak i PS-së, i pandehur/ Emri dhe akuza

Kryebashkiaku socialist i Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pas dyshimeve se ka qenë i përfshirë në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në favor të PSD-së së Tom Doshit.

Shkreli u paraqit sot në ambientet e SPAK, ku iu komunikua zyrtarisht akuza për “korrupsion në zgjedhje”. Bashkë me të, nën hetim ndodhen edhe tre persona të tjerë të dyshuar për të njëjtën çështje.

Krisjtjan Shkreli

Hetimi nisi pas indicieve se Shkreli ka ndërhyrë në procesin zgjedhor duke ndikuar mbi votuesit. Në maj, me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), atij iu sekuestrua celulari, ndërsa iu ushtrua edhe kontroll në banesë.

Në kuadër të hetimit, SPAK ka sekuestruar gjithashtu edhe celularët e disa eksponentëve të PSD-së, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e mekanizmit të shitblerjes së votave në qarkun e Shkodrës./E.S