Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot një përfaqësi nga British Council, me të cilët bisedoi për programet në mbështetje të të rinjve shqiptarë.
Presidenti Begaj u shprehu atyre mirënjohje për kontributin e dhënë ndaj të rinjve në shumë fusha përmes kualifikimit përmes programeve në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
British Council ka pasur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve të universiteteve me tregun e punës, përmirësimin e mësimdhënies, kurikulave dhe në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
Kreu i Shtetit i vlerësoi këto nisma, të cilat u mundësojnë të rinjve shqiptarë kualifikim cilësor dhe aftësi për të qenë konkurrues në tregun e punës. Ashtu si dhe në takime të tjera me fokus mbështetjen ndaj të rinjve, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë që atyre t’u krijohen kushte për të investuar dijet në Shqipëri, pasi vendi ka nevojë për ta./kb