“Rama kundërshton veten me emërimin e Erion Veliajt”

Shkarkimi i Erion Veliajt, ankimimi në Gjykatën Kushtetuese si dhe dekretimi i zgjedhjeve nga presidenti, ka nxitur diskutime të gjata politike e analizash pro dhe kundër.

Gazetarja Ola Xama në një reagim në rrjete sociale, ka reaguar pas komentit të kryeministrit Edi Rama, i cili foli për herë të parë për dekretimin e zgjedhjeve, i cili tha se u firmos me vullnet të plotë nga Presidenti Bajram Begaj.

“Të mos jesh dakord me dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë, nuk të bën mbrojtës të Erion Veliajt”, shkruan Xama.

Gazetarja shprehet se Erion Veliaj ndodhet në burg për shkak të vendimeve të gjykatave dhe meriton të gjykohet për ato vepra penale të cilat i janë ngarkuar, por të shprehesh jo dakord vendimit të presidentit, nuk e bën Ramën të pafajshëm për cënim të Kushtetutës së bashku me kreun e shtetit.

“Ndaj të mos jesh dakord me dekretin e Presidentit nuk mbron Erion Veliaj, por kundërshton atë që emëron “Veliajt”, e që në vend të kërkojë falje e të mbajë përgjegjësi, vazhdon me kokëfortesi – pa asnjë reflektim, të dhunojë çdo ligj e çdo institucion që ka ky vend.”

Reagimi i plotë i Ola Xama

Të mos jesh dakord me dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë, nuk të bën mbrojtës të Erion Veliajt.

Veliaj ndodhet në qeli dhe aty nuk e mban as dekreti i Presidentit e as zgjedhjet e reja si pasojë e shkarkimit. Aty e mbajnë disa vendime të gjithë hierarkisë së gjykatave, të cilat kanë arsyetuar se lloji i krimeve të dyshuara të kryera prej tij dhe mundësia e prishjes së provave nga qëndrimi në detyrë, përbëjnë shkaqe për masën e arrestit me burg. Sa më parë të zgjidhet një kryetar i ri për Tiranën, aq më shpejt lehtësohet një nga rrethanat që mban në burg Veliajn.

Shkarkimi i Veliajt si kryetar bashkie për shkelje të rënda (duke qënë se akuzat ndaj tij: korrupsion, pastrim parash, shpërndorim detyre) janë po ashtu të rënda, është shkas për të nisur një proces të tillë, por ky proces duhet të jetë i rregullt dhe i bazuar në ligj.

Kushtetuta e ka të shkruar qartë se organet e qeverisjes vendore shkarkohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili është i ankimueshëm në Gjykatën Kushtetuese dhe në momentin që anikomhet pezullon automatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave.

Lexo edhe :  Udhëtime me tren deri në 120 km/orë, ja kur përfundon rehabilitimi i linjës hekurudhore

Dhe Ligji për Pushtetin Vendor është në frymën e Kushtetutës. Edhe pse i njeh të drejtë inicimi për shkarkim Këshillit Bashkiak, nuk e bën vendimin të zbatueshëm por e detyron ta dërgojë në Këshillin e Ministrave.

Shqyrtimi i padisë së Veliajt nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas caktimi i datës së zgjedhjeve, do të garantonte një proces të rregullt për garën e qytetit më të madh të vendit. I pari që duhet ta garantojë një proces të tillë është kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste dhe caktues i vetëm i kandidatit për Tiranën.

Përgjegjësia kryesore për kandidimin e Veliajt në zgjedhjet 2023 kur skema “5D Konstruksion” u denoncua që në fushatë, është e tij. Përgjegjësia kryesore për kullëzimin e Tiranës duke shkelur mbi Planin e Përgjithshëm Vendor është e tij si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit. Përgjegjësia për dëbimin nga shtëpitë të banorëve të lagjes “5 Maji” është e tij, sepse zona u caktua për zhvillim me VKM dhe Bashkia Tiranë (më pas Tirana DC) janë caktuar institucione zbatuese me VKM.

Përgjegjësia për mungesën e ujit, pastrimin e ujërave të zeza apo dhe zaptimin e hapësirave publike në kryeqytet është e tij. Fondet kryesore për këto investime i jep qeveria qëndrore, ndërsa aksoni që nisi në verë për lirimin e hapësirave publike na tregoi që kur do kryeministri, IKMT kujtohet që ka kompetenca më të mëdha se IMT.

Erion Veliaj meriton të hetohet dhe gjykohet për ato që ka bërë, bashkë me zyrtarë të ngjashëm me të në bashki e qeveri, por kjo nuk do të thotë që institucionet më të rëndësishme të një vendi: Këshilli Bashkiak, Këshilli i Ministrave dhe Presidenti i Republikës të shkelin ligjin me të dyja këmbët dhe t’i mohojnë çdokujt një proces të rregullt, qoftë ky dhe krimineli më i madh!

Ndaj të mos jesh dakord me dekretin e Presidentit nuk mbron Erion Veliaj, por kundërshton atë që emëron “Veliajt”, e që në vend të kërkojë falje e të mbajë përgjegjësi, vazhdon me kokëfortesi – pa asnjë reflektim, të dhunojë çdo ligj e çdo institucion që ka ky vend. m.p.