Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur “arrest në burg” për Kristi (Kristë) Bushgjokajn dhe Aleksandër Bushgjokajn, të dyshuar për rrëmbim personi dhe veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Seanca u zhvillua më 3 tetor 2025, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Bib Ndreca, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 24 shtator.
Të hetuarit akuzohen për veprat penale:
“Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” në bashkëpunim të posaçëm,
“Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”,
“Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”,
të parashikuara nga nenet 109/3-28/4, 333/a dhe 334/1 i Kodit Penal.
Gjykata urdhëroi Policinë Gjyqësore dhe SPAK-un për zbatimin e masës së sigurisë, ndërsa vendimi mund të ankimohet brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.