Shqipëria dërgon në BE dokumentacionin për kapitullin “Bashkimi Doganor”

Administrata Doganore Shqiptare njoftoi sot se ka përcjellë zyrtarisht pranë Komisionit Europian paketën e plotë të dokumentacionit të kërkuar për “closing benchmarks” në Kapitullin 29 – “Bashkimi Doganor”, duke shënuar një hap thelbësor përpara në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ky proces përfshiu një punë të jashtëzakonshme dhe të koordinuar, ku administrata përgatiti e dorëzoi:

· Kalendarin legjislativ dhe tabelat e konformitetit me acquis të BE-së;
· Strategjitë kryesore të administratës (biznesit, burimeve njerëzore, trajnimit);
· Masat për rritjen e integritetit dhe performancës së strukturës doganore;
· Planin kombëtar shumëvjeçar për sistemet IT dhe masat për ndërveprim me sistemet e BE-së;
· Informacionin mbi ratifikimin e Protokollit të Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit;
· Raportin vjetor “Libri Jeshil – Dogana 2024 dhe Prioritetet 2025”, botuar për të katërtin vit radhazi.

“Administrata Doganore Shqiptare mbetet e angazhuar për të vijuar përmbushjen e të gjitha detyrimeve të Kapitullit 29, duke garantuar përafrimin legjislativ, forcimin e kapaciteteve administrative, avancimin e sistemeve digjitale doganore dhe thellimin e bashkëpunimit me BE në luftën kundër tregtisë së paligjshme.

Ky është një moment historik që i shërben jo vetëm integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe ndërtimit të një administrate moderne, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve e biznesit,” njofton Administrata Doganore Shqiptare. m.p.