Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonad Myzyri, ia doli të shpëtojë nga masa më e rëndë e sigurisë që e mbante të pezulluar nga detyra, pavarësisht akuzave të forta që rëndojnë mbi të për një tender të dyshimtë me vlerë mbi 219 milionë lekë.
Në seancën e së premtes, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi të heqë pezullimin nga detyra për Myzyrin, duke lënë në fuqi vetëm masën më të butë të “detyrimit për t’u paraqitur”. Me këtë vendim, kreu i KPP-së mund të rikthehet normalisht në funksionin e tij publik.
Myzyri është nën hetim për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”, pas një procedimi të hapur nga SPAK mbi një procedurë prokurimi të zhvilluar në vitin 2020. Bëhet fjalë për tenderin e mirëmbajtjes së një segmenti rrugor strategjik, ku dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe është favorizuar në mënyrë të paligjshme një grup operatorësh ekonomikë.
Burime nga hetimi pohojnë se gjatë procedurës janë konstatuar parregullsi serioze, ndërsa SPAK ka dyshime se pas tenderit fshihej një skemë e mirëorganizuar favorizimi, duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe duke manipuluar ofertat.
Megjithatë, vendimi i GJKKO-së për të zbutur masën e sigurisë shihet si një fitore për Myzyrin, i cili, për momentin, i shpëtoi një skenari që mund ta mbante jashtë zyrës për një kohë të pacaktuar.
Kjo lëvizje pritet të shkaktojë debat të fortë publik, pasi rikthimi i Myzyrit në detyrë vendos në pikëpyetje integritetin e procesit të prokurimeve publike, në një kohë kur SPAK është në mes të një hetimi të thelluar për tenderin me vlerë të lartë./Etleva Skonja