Policia e Lezhë ka konfirmuar se personi i cili u gjet i pajetë këtë mbrëmje në breg të lumit në Lezhë, është dhunuar dhe qëlluar me armë zjarri. Viktimë mësohet se ka mbetur Gjergj Tusha 65 vjeç ndërsa ende nuk ka një autor të dyshuar të ngjarjes.
Mësohet se ishte e bija që denoncoi në policia për humbjen e kontakteve me të atin që prej orës 14:40 mesditën e sotme. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes për të zbardhur të tjera detaje.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T.
Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit/ëve. m.p.