Energjia, rriten tregtuesit, si po “ngroh” biznesi i diellit

Tregtimi i energjisë elektrike mbetet një model tërheqës biznesi, por që ka varësi të lartë nga ecuria e prodhimit dhe importeve. Në vitet kur prodhimi vendas ulet dhe rrjedhimisht importet rriten, tregtuesit kanë më shumë punë.

Pas rënies në vitin 2023, viti 2024 ka shënuar rritje të qarkullimit vjetor. Ky është një model i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime, por vetëm me kapital, dhe një numër minimal punonjësish.

Kostot e personelit nuk arrijnë më shumë se 1% të totalit të shpenzimeve, sipas të dhënave nga bilancet.

Në total, bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, importet e energjisë në vitin 2024 ishin rreth 100 milionë euro, nga 70 milionë euro në vitin 2023, sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), dhe mbi 500 milionë euro që u shpenzuan në 2022.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024, pesha e importeve në raport me energjinë në dispozicion u rrit në 32.7% në 2024-n, nga 24.4%, që ishte në vitin 2023, si rrjedhojë e rënies së prodhimit vendas dhe rritjes së importeve.

Në vitin 2024, sipas INSTAT, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3.7%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2024, arriti vlerën 7.837 GWh nga 8.796 GWh energji të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar rënie të prodhimit me 10,9%.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 2.669 GWh nga 1.922 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 38,9%.

 

Burimi: INSTAT

 

“Noa Energy Trade” renditet për të dytin vit radhazi si më i madhi në këtë segment. Në vitin 2024, kompania raportoi një qarkullim vjetor prej 26.2 miliardë lekësh, me zgjerim 36.4% me bazë vjetore.

“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, në vitin 2024 ka kaluar në tregtuesin e dytë më të madh të energjisë në vend, ndërsa vitin e kaluar ishte i pari. Të ardhurat ishin 11.5 miliardë lekë, me rritje prej 10% në krahasim me vitin 2023, pas tkurrjes së fortë prej 76% vitin e mëparshëm, që u ndikua nga ulja e çmimeve të energjisë.

“Në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për klientët me tension të mesëm (20 kV), ‘Ener Trade’, në përputhje me Licencën për Furnizimin me Energji Elektrike nr. 429 të lëshuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ka filluar zyrtarisht procesin e lidhjes së kontratave të furnizimit me energji elektrike me konsumatorët përkatës.

Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë së kompanisë sonë në tregun e brendshëm të energjisë”, thuhet në raportin e aktivitetit.

GSA” ishte operatori i tretë më i madh i tregtimit të energjisë. Në vitin 2024 kompania gjeneroi 7 miliardë lekë nga tregtimi i energjisë, nga 8.3 miliardë vitin e mëparshëm.

Në vitin 2023, shoqëria kishte të ardhura totale prej 19.1 miliardë lekësh nga tregtimi i energjisë dhe i ferrokromit, ku 54% vinin nga tregtimi i energjisë.

Në vitin 2024, të ardhurat totale të GSA-së ranë në 8.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e ndarjes së aktivitetit të ferrokromit, në kompaninë tjetër “GSA Ferrokrom”.

Kompania deklaroi vetëm 1.2 miliardë lekë nga shitja e ferrokromit në 2024-n, nga 9.8 miliardë lekë vitin e mëparshëm.

Shoqëria “GSA Ferrokrom” sh.p.k. u themelua nga ortaku “GSA” sh.p.k. në tetor 2023, pasi ky ortak synon që sa më shpejt të jetë e mundur t’i transferojë tërësisht aktivitetin ekonomik të ferrokromit, që aktualisht kryhet nga vetë ortaku “GSA” sh.p.k., në mënyrë që ky aktivitet të kryhet si një shoqëri më vete, me qëllim rritjen e eficiencës në menaxhim, thithjes së investimeve të reja, zgjerimin e gamës së produkteve dhe aktiviteteve në fushën e ferrokromit etj.

“SOLE 24 DOOEL Shkup-Dega në Shqipëri” është një hyrje e re në tregtimin e energjisë elektrike, e regjistruar në QKB në prill 2023 dhe ka raportuar të ardhura prej 6.6 miliardë lekësh në 2024-n, viti i parë i plotë i aktivitetit.

Fusha e veprimtarisë së Degës është kryerja e aktivitetit të furnizimit dhe tregtimit në energji dhe mallra tregtare, si dhe aktivitete të tjera që lidhen me tregtimin e certifikatave të gjelbra dhe të gazit.

GEN-I Tirana”, operatori slloven, ka reduktuar të ardhurat me 29%, në 5 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, “synimi i qëndrueshëm i ‘GEN-I Tirana’ është të fitojë konsumatorë fundorë të mëdhenj dhe për rrjedhojë, të zgjerojë fokusin e vet drejt konsumatorëve fundorë SME – Sipërmarrje të Vogla e të Mesme, në rast mundësish të mira të tregut”.

“Ayen Energy Trading” ka hyrë sërish në listën e “Monitor 200”, pas rritjes me 129% të të ardhurave, në 3.6 miliardë lekë.

 

 

Prodhuesit privatë të energjisë, në rënie

Investimet e mëdha në ndërtimin e hidrocentraleve private kanë rritur ndjeshëm peshën e prodhimit të energjisë nga kompanitë jopublike vitet e fundit.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2024, arriti vlerën 7.837 GWh duke shënuar rënie të prodhimit me 10,9%.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,1%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 41,4%.

Sipas INSTAT, hidrocentralet publike, në vitin 2024, prodhuan 4.085 GWh nga 5.123 GWh në vitin 2023, duke shënuar kështu një rënie me 20,3%.

Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 3.245 GWh nga 3.582 GWh një vit më parë duke shënuar një rënie me 9,4%.

 

Burimi: INSTAT

 

“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend nëpërmjet dy hidrocentraleve.

Në vitin 2024, të ardhurat e tij bruto ranë me 34%, në 10.9 miliardë lekë (6.8 miliardë lekë nga aktiviteti kryesor i shitjes së energjisë elektrike dhe rreth 4.1 miliardë lekë ishin fitime nga aktivitetet e tregut, neto, që përfaqësojnë të ardhurat nga aktivitetet e tregtisë së energjisë dhe aktivitetet fillestare të cilat janë materializuar në datën e marrëveshjes me klientin).

Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2024, të ardhurat bruto të DHP-së u tkurrën për shkak të uljes së çmimit të energjisë dhe prodhimit të ulur për shkak të hidrologjisë së pafavorshme.

Prodhimi total i energjisë elektrike gjatë vitit 2024 ishte 449 681 MWh, reduktim prej më shumë se 30% krahasuar me vitin 2021 që ishte viti i fundit me hidrologji relativisht normale, për shkak të hidrologjisë së pafavorshme.

Gjatë vitit 2024 kishte kushte hidrologjike të pafavorshme në Luginën e Lumit Devoll me ulje të konsiderueshme të prurjeve ujore në rezervuarët e Banjës dhe Moglicës, duke rezultuar me ulje të sasisë së prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet.

Edhe çmimet e energjisë elektrike ishin më të ulëta në tregjet ku operon DHP, krahasuar me vitet 2022 dhe 2023.

HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Viti 2022 ishte i pari i plotë me operime nga të dy HEC-et, Banja dhe Moglica.

Sipas burimeve zyrtare nga “Statkraft”, dy hidrocentralet, Banja dhe Moglica kanë kapacitet të instaluar 256 MW.

Lexo edhe :  BIRN: Edhe me Veliajn në burg, opozitës i duhet ‘një mrekulli për Tiranën’

Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e “Statkraft” për Shqipërinë pohon se luhatja e çmimit të energjisë elektrike mbetet një nga sfidat kryesore të tregut.

Gjithashtu, efektet e ndryshimeve të klimës vazhdojnë të ndihen ndjeshëm, veçanërisht në ndikimin e hidrologjisë dhe reduktimin e sasisë së prodhuar të energjisë.

Ajo shton se bazuar në kontratën e koncesionit të Projektit Hidroenergjetik të Devollit, “Statkraft” po zhvillon projektin e hidrocentralit me sistemin e rezervës së pompuar RP Moglica Shtesë.

Ndryshe nga hidrocentralet tona ekzistuese të Banjës dhe Moglicës, që janë hidrocentrale tradicionale me rezervuar, RP Moglica Shtesë bazohet në teknologjinë e hidroenergjisë me sistemin e rezervës së pompuar.

“Teknologjia e hidroenergjisë me sistemin e rezervës së pompuar është teknologjia më e përdorur në botë për ruajtjen e energjisë dhe është praktikisht një bateri e madhe uji”.

“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 3.4 miliardë lekë, me rënie 9.2% në raport me vitin e mëparshëm.

Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut, me kapacitet të kombinuar prej 109.7 MW.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC-in e Fangut, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.

Sipas raportit të aktivitetit, në 2024-n, “Ayen as Energy” prodhoi energji totale prej 342 mijë MWh. Nuk raportohen investime të reja në 2024-n.

Si rreziqe të aktivitetit, shoqëria përmend ndryshimet klimatike që ndikojnë në thatësira ose modele të paqëndrueshme të reshjeve; ndryshimet në politikat energjetike dhe rregullatore; luhatjet e çmimeve dhe ekspozimin ndaj palëve të treta në tregun e shitblerjes së energjisë.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte qarkullim vjetor prej 1.8 miliardë lekësh, me rënie 21%, duke dalë nga lista e “Monitor 200”. Gjatë vitit 2024, prodhimi total ishte 243,982 MWh, sipas raportit vjetor.

Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat orë prodhohen në vit.

 

 

Rritja e energjisë së diellit

Vitet e fundit ka pasur një vëmendje të shtuar për të investuar në energjinë e diellit, që tashmë ka filluar të japë rezultatet e dukshme.

Për herë të parë në 2024-n, energjia nga dielli ka arritur të “ndriçojë” skenën e energjisë, duke kontribuar në masën 6,5% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike, sipas të dhënave të INSTAT.

Ata prodhuan 507 GWh nga 90 GWh në vitin 2023, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 5,6 herë, nga energjia diellore.

Interesi për fotovoltaikët nisi në vitin 2017, kur u miratua edhe kuadri i parë ligjor për burimet e rinovueshme të energjisë, por mori nxitjen reale në vitet 2021 dhe 2022 me fillimin e krizës së energjisë.

Në total, deri më tani, janë dhënë 65 licenca në prodhimin e energjisë fotovoltaike nga Enti Rregullator i Energjisë, duke nisur që nga projekti i parë i zbatuar disa vite më herët nga Ujësjellësi i Korçës.

Deri më tani në vend janë zbatuar disa projekte, por ato që dominojnë janë impiantet e vogla deri në 2 MW, kurse më i madhi është Karavastaja, i fituar përmes ankandit të qeverisë nga “Voltalia”, që ka nisur prodhimin prej vitit 2024.

Projekte të tjera private, të orientuara drejt shitjes në treg të lirë, po zbatohen në disa rajone, teksa shumica e projekteve të propozuara mbeten në hallka të ndryshme institucionale pa filluar ende punimet në terren.

Gjatë 2025-s, Enti Rregullator i Energjisë licencoi deri në fund të korrikut të paktën 13 subjekte, ku një prej tyre është me kusht.

Në total, kapaciteti i instaluar i projekteve që kanë marrë një licencë prodhimi si fotovoltaikë është 125 MW,  ku 11 prej tyre i takojnë kategorisë së impianteve me fuqi të instaluar deri në 2 MW.

Impianti kryesor që ka marrë së fundmi licencën në prodhim është ai që parashikohet me një fuqi 100 MW nga “Sunny Side Energy”, i parashikuar për ndërtim në zonën e Darëzezës në Fier, miratuar në tetor 2024, një investim i grupit “Kastrati”. Energjia do të shitet në tregun e lirë.

Për herë të parë në renditjen e “Monitor 200” në 2024-n kanë hyrë dy shoqëri, që e kanë përqendruar aktivitetin në energjinë diellore.

“Karavasta Solar”, që është pjesë e shoqërisë franceze të energjisë së rinovueshme “Voltalia” dhe ka nën menaxhim impiantin e Karavastasë me kapacitet 140 MW, është një ndër më të mëdhenjtë që ka përfunduar dhe po prodhon energji nga fundi i vitit 2023.

Të ardhurat e shoqërisë ishin rreth 17 miliardë lekë në 2024-n, sipas të dhënave nga Tatimet (bilanci zyrtar nuk është dorëzuar ende).

“Voltalia” fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes, 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.

Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh.

Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258.3 GWH dhe përbënte 3.2% të prodhimit neto vendas, dhe më shumë se gjysmën e gjithë energjisë nga dielli.

Një tjetër projekt i “Voltalia” është Parku Fotovoltaik i Spitallës, që do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Por ky projekt nuk ka avancuar me ritmet e pritshme.

“Vega Energy” është një tjetër hyrje nga biznesi i diellit, e fokusuar në instalimin e paneleve diellore për impiante të mëdha.

Shoqëria raportoi të ardhura prej 2.8 miliardë lekësh, me tetëfishim në krahasim me vitin 2023. Kompania është krijuar në tetor të vitit 2022 dhe është pjesë e grupit “Vega”, e fokusuar në energji. Që prej themelimit, shoqëria është rritur me shpejtësi.

Sipas raportit të aktivitetit, në 2024-n, “Vega Energy” realizoi disa projekte kyçe të instalimeve të paneleve diellore, duke përfshirë parqe fotovoltaike industriale dhe komerciale, ku përfshihen:

– Realizimi i projekteve të mëdha utilitare si “Nova Prospect”, “Sun’s Miracle”, “Sun Avenue & Sun Power Park”, “Alb Sun Energy” dhe “EZ 5 Energy”, me kapacitet total mbi 20 MWp.

– Fillimi i zhvillimit të projektit të madh të energjisë diellore me kapacitet mbi 120 MWp në fazë pipeline. (Sunny Side Pipeline). Kompania pohon se ka marrëveshje strategjike për bashkëpunim me investitorë ndërkombëtarë për zgjerim rajonal.

“Aprovimi i lejeve të ndërtimit të Parqeve Fotovoltaike nga Qeveria Shqiptare, e cila sjell një potencial për tregun me mbi 500 MWp për vitet në vazhdimësi”, thuhet në raportin vjetor./kb