Njeriu, kafsha më ç’njerëzore ndaj njeriut

Nga Leonard Veizi

Njeriu ka zgjedhur një ditë të vitit për të kujtuar mbrojtjen e kafshëve, për t’u ndalur e për të folur për të drejtat e tyre. Por, paradoksalisht, ende nuk ka gjetur një ditë për të reflektuar mbi mbrojtjen e vetvetes – të njeriut nga vetë njeriu. Dhe ndoshta kjo është plagë më e thellë se çdo padrejtësi tjetër.

Natyra njeh rregulla të thjeshta. Ajo ka pajisur çdo krijesë me instinktet e veta të mbijetesës. Fjala vjen: një luan vret vetëm për të ngrënë. Pasi ha, shtrihet e fle dhe për një kahë të gjatë nuk është më kërcënim derisa uria ta zgjojë sërish. Në këtë cikël të thjeshtë jetese nuk ka as tepri, as etje për të shuar diabetin, as lakmi: vetëm nevojë. Një instinkt për të mbijetuar.

Por njeriu është ndryshe. Ai nuk njeh kufi. Ushqehet tri deri në pesë herë në ditë. Pi birra, raki e verë sa ai mban kandari. Por oreksi i tij nuk shuhet me kaq.

Përtej ushqimit, njeriu kërkon pasuri, pushtet, kontroll. Dhe kur i ka të gjitha këto përsëri kërkon diçka që nuk e ka. Ec e ta gjesh.

Pyetja që vjen më pas është e thjeshtë: Çfarë i duhen një njeriu Një Miliard dollarë në bankë? Sepse ai mund te jetoje normalisht edhe me 10-20 dollarë në ditë. Këto shifra, që nuk kanë më lidhje me nevojën, tregojnë lakminë e tij të pangopshme. Çfarë mund të bësh me Një Miliard, që nuk i bën dot me Një Milion? Vecc në do të ngresh një anije kozmike personale e të vish vërdallë në orbitë, si Juri Gagarini.

Historia e dëshmon këtë më qartë se çdo fjalë. Perandorët e lashtë nuk mjaftoheshin me kufijtë e sundimit të tyre: Aleksandri i Madh kërkonte të pushtonte botën e njohur; Cezari marshoi përtej kufijve; perandorët nga gjithfarë vendesh e bashkim kombësish ngrinin ushtri për të shtuar territor. Shekulli i njëzetë e çoi këtë anë çnjerëzore te njeriut në përmasa industriale: luftëra për hegjemoni, jo për bukë. Sot, në epokën e globalizimit, absurditeti vazhdon. Disa grumbullojnë pasuri miliardëshe, ndërsa miliona njerëz vuajnë urinë dhe mungesën e ujit të pastër.

Lexo edhe :  Ti nuk je as “hero” as i “dhunshëm”, ti je një QYTETAR!

Sidoqoftë, ka një të vërtetë që sakrifikon të gjitha arritjet materiale: pasuria, – sado zero të ketë prapa një Një-sh, – nuk e blen jetën. Mund të shtosh ca ditë, të blesh shërbime mjekësore më të shtrenjta, mund ti krijosh vetes komoditete dhe privilegje, por nuk mund ta mposhtësh vdekjen… dhe kur je multimiliarder. Mund ta zgjasësh pak kohën, por nuk e bën të përjetshme. Edhe nëse zotëron gjithë arin e botës, kufiri i trupit dhe kohës mbetet i pandryshueshëm. Jetëgjatësia ka limitet e veta — në praktikë, shumica e njerzve arrijnë të jetojnë rreth tetëdhjetë e pak vjet; edhe nëse jeton deri në 90, ky është një fund i mundshëm ku mundësitë për të shijuar jetën zbehen. Njeriu i moshuar pak a shumë shikon botën me kufizime, shpesh i mbytur në monotoninë e ekraneve dhe kujtimeve të largëta, jo duke përjetuar më intensitetin e rinisë.

Ky kontrast është thelbësor.

Ndërsa kafsha pjesë e ekuilibrit të natyrës vret për nevojë, njeriu vret shpesh për dominim; ai nuk ndërton thjesht për të jetuar më mirë, por për të pasur më shumë se tjetri. Dhe në qoftë se synimi i pasurisë është të sfidojë vdekjen, gënjeshtra bëhet më e madhe: pasuria shton përmasa, por nuk mëson kufirin. Kjo e bën njeriun rrezikun më të madh për veten, shoqërinë dhe planetin.

Ndonjëherë, të mendosh për kufijtë e jetës dhe absurditetin e akumulimit të pafund duhet të na kthejë tek një pyetje etike: për çfarë po punojmë dhe për kë? Nëse qëllimi është thjesht të grumbullojmë të mira materiale të konvertuara në para, atëherë humbasim thelbin e jetës. Nëse, përkundrazi, mësojmë të vendosim kufij moralë dhe të vlerësojmë kohën e përbashkët, mund të ndryshojmë drejtimin e këtij instinkti destruktiv.

Njeriu është me të vërtetë një kafshë çnjerëzore, jo vetëm nga dhuna që kryen, por sepse, ai ka tendencën ta kthejë shtëpinë e tij një varrezë, për atë që nuk mund ta blejë: kohën, mirësinë, dhe çastet e thjeshta të një jete të vërtetë.