Të rinjtë flenë në 2 të natës, si mund të presin të kenë zemër të shëndetshme

Vdekjet e papritura dhe infarktet në mosha të reja, madje edhe nën 40 vjeç, janë kthyer në një realitet tronditës. Dr. Spiro Qirko ngre alarmin për këtë fenomen, duke fajësuar drejtpërdrejt stilin modern të jetesës dhe mungesën e një kulture parandaluese.

‘Sëmundja nuk ka më moshë,’ pohon ai, duke theksuar se çdo dhimbje gjoksi, sado e lehtë të duket, duhet marrë seriozisht dhe konsultuar me mjekun.

Por pse po ndodh kjo? Sipas doktorit, shkaqet janë të qarta dhe lidhen me sjelljet e rrezikshme të të rinjve. ‘Moshat e reja s’kanë asnjë regjim. Flenë ora 2 të natës, përdorin alkool, për të mos thënë dhe drogën,’ thotë ai pa doreza. Ky stil jete i çrregullt, i kombinuar me stresin e lartë dhe një dietë të pabalancuar që çon në obezitet, krijon një terren perfekt për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ai veçon diabetin si ‘nënën e gjithë të këqijave’, një sëmundje me rritje katastrofike në Shqipëri, e cila dëmton enët e gjakut në të gjithë trupin, nga zemra te truri, sytë dhe veshkat. Thirrja e tij është e qartë: duhet një ndërgjegjësim masiv për parandalim, që përfshin kontrolle periodike të yndyrnave dhe sheqerit në gjak, një dietë të ekuilibruar për të shmangur mbipeshën, dhe aktivitet fizik të rregull./kb