Familjarë, banorë të Delvinës dhe efektivë të Policisë atje kanë gjetur pas rreth 24 orësh të moshuarin Spiro Qirjako. 93 vjeçari ishte raportuar i zhdukur prej ditës së djeshme dhe falë kërkimeve intensive, është gjetur këtë pasdite.
Pas orësh të tëra ankthi dhe kërkimesh, Spiro është gjetur i gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
93 vjeçari u lokalizua rreth orës 15:40 minuta, falë kontrollit të zonës me ndihmën e një droni, në një hendek pranë varrezave të qytetit të Delvinës, ku Spiro Qirjako kishte kaluar natën dhe orët deri pasditen e sotme, raporton Saranda Web.
Në kërkimet për gjetjen e tij u përfshinë familjarë, banorë të zonës dhe forcat e Policisë së Delvinës, të cilat përdorën mjetet teknologjike për të lehtësuar operacionin. Përdorimi i dronit rezultoi vendimtar për zbulimin e vendndodhjes së të moshuarit.
Familjarët e 93 vjeçarit kanë falenderuar qytetarët që u solidarizuan, si dhe në veçanti për forcat e Policisë së Delvinës, të cilat kontribuan në gjetjen e tij në kohë dhe shpëtimin e jetës. m.p.