Kejt Uinslet – E përjetshmja Rozë, artistja që refuzon të fundoset

5 tetor 1975 – Reding, Angli 

Nga Leonard Veizi

Që nga dita kur shkeli dërrasën fatale të anijes më të famshme të kinemasë – një anije që do të fundosej në histori, por do të ngrihej në mit – Kejt Uinslet nuk zbriti më kurrë nga froni i saj i gdhendur thellë në zemrat e publikut. Ajo nuk ishte thjesht Rozë në Titanik – ishte vetë zemra e trazuar e botës, pulsi njerëzor që rrihte më fort në një histori që shpërtheu përtej ekranit dhe u ngulit thellë në ndjeshmëritë e brishta njerëzore…

…Me flokët e kuq që valëviteshin guximshëm si flamur në erën e një dashurie të pamundur, me sytë që mbartnin peshën e epokave dhe rebelimin e shpirtit, Uinslet na mësoi se një aktore nuk luan thjesht një rol – ajo e thith atë deri në palcë, e jeton, e vuan, e dashuron, e humbet, duke na lënë pas një trashëgimi të lagur me lot dhe kripë deti.

Nga Teatri tek Ylli Ikonë

E lindur më 5 tetor 1975, në Reding të Anglisë, Kejt Elizabet Uinslet sikur erdhi në botë me detin në gjak dhe magjinë e kamerës në shpirt. E bija e një familjeje artistësh të thjeshtë, ajo i hodhi hapat e parë në teatër që në fëmijëri.

Uinslet nisi rrugëtimin e saj artistik duke interpretuar role të vogla në reklama dhe shfaqje. Roli i saj i parë i rëndësishëm ishte në dramën psikologjike “Krijesat Qiellore” e vitit 1994, me regji të Piter Xheksonit, ku spikati menjëherë për intensitetin e interpretimit. Më pas, ajo konfirmoi prirjen e saj për figurat e periudhës me rolet në “Ndjeshmëri dhe Ndjesi” e vitit 1995 dhe si Ofelia në versionin filmik të “Hamletit” e vitit 1996, duke forcuar reputacionin si aktore serioze me peshë klasike.

Por ishte viti 1997 që e ktheu Kejt Uinslet në një emër të pavdekshëm. Me rolin e Rozës në filmin epik Titaniku, nën regjinë e Xhejms Kameronit, ajo u bë pjesë e një dashurie që sfidoi kohën dhe vetë rrëzimin e anijes. Titaniku nuk ishte thjesht një histori dashurie – ishte një ndërthurje madhështore mes emocioneve njerëzore dhe teknologjisë, që Uinslet e udhëhoqi me zemër dhe shpirt.

Zgjedhjet Kurajoze

Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Kejt Uinslet dëshmoi mençurinë e saj artistike, duke zgjedhur të largohej nga bota e filmave komercialë, duke iu përkushtuar projekteve më të vogla, por artistikisht më sfiduese. Zgjedhjet e saj vazhduan të jenë kurajoze: nga “Flakë e Shenjtë” e vitit 1999 te roli i shkrimtares Iris Mërdok në “Iris” e vitit 2001, rol që i solli nominime të reja për Oskar dhe Globin e Artë.

Lexo edhe :  Riçërd Heris, nga zemra e gjelbër e Irlandës në panteonin e kinemasë

Në vitin 2004, ajo shkëlqen sërish në një nga rolet më të pazakonta dhe të dashura të saj: “Eternal Sunshine of the Spotless Mind” apo siç vjen në shqip “Dielli i përjetshëm i mendjes së pastër”, ku luan Klementajn, një grua që fshin kujtimet e një dashurie të dhimbshme. Ky rol dëshmoi edhe një herë guximin e saj për të sfiduar format tradicionale të aktrimit. Në Fëmijë të vegjël i vitit 2006, ajo interpretoi një shtëpiake të dëshpëruar, duke fituar nominimin e saj të pestë për Oskar – dhe duke u bërë aktorja më e re në histori me kaq shumë nominime në atë kohë.

Gruaja me zë dhe qëllim

Kejt Uinslet nuk u bë kurrë robëreshë e një roli – sado i madh apo magjepsës të ishte ai. Me një intuitë të jashtëzakonshme artistike, ajo zgjodhi të luajë gra komplekse, të thyeshme e të forta njëkohësisht. Nga Klementajn – ikona e kujtesës që venitet – te Hana Shmic në The Reader – roli që i solli Oskarin në vitin 2009 – ajo ka ditur gjithnjë të sfidojë veten dhe të zgjerojë kufijtë e artit të aktrimit.

E çiltër në publik, larg glamurit të rremë dhe klisheve të Hollivudit, Uinslet është po aq e admiruar për qëndrimet e saj sa për rolet. Një zë i fuqishëm për pozitivitetin trupor, barazinë gjinore dhe integritetin artistik, ajo nuk ka pranuar asnjëherë të jetë thjesht një imazh – por një grua me zë, mendim dhe qëllim.

Kejt Uinslet është jo vetëm yllin që i dha fytyrë dashurisë së përjetshme në Titanik, por edhe artistja që refuzon të fundoset në ujërat e cekëta të famës. Kejt Uinslet është më shumë se një emër në Hollivud. Ajo është një frymë që vazhdon të fryjë në velat e kinemasë moderne, duke na kujtuar se arti i vërtetë nuk njeh fundosje.