Përpjekjet gjithmonë e më shumë për emancipimin e gruas, por edhe rënia e numrit të lindjeve, një problem ky global, ka ndikuar ndjeshëm edhe në uljen e numrit të fëmijëve, të cilët kërkojnë të birësohen.
Alma Sulstarova, Drejtoreshë e Komitetit të Birësimeve thotë se kërkesat vijojnë të jenë të larta, veçanërisht nga emigrantët shqiptarë.
“E gjithë puna e bërë për emancipimin e vajzave dhe forcimin e familjes kanë dhënë rezultat pozitiv, që shumë pak vajza vendosin të braktisin fëmijët e tyre. Kërkesat e mëdha nuk janë vetëm nga brenda vendit, por edhe nga emigrantët tanë jashtë, por edhe të huaj. Këtë vit kemi realizuar më shumë birësime se vitin e kaluara, deri tani kemi realizuar 20 të tilla. Momenti më i gëzuar për ne ishte kur arritëm të birësojmë 3 fëmijë nga njëjta familje, ku u birësuan nga një familje e huaj”, u shpreh Sulstarova.
Sulstarova ndalet edhe tek rastet e shtuara nga nëna të vetme, që janë të gatshme të birësojnë një fëmijë
“Ka kërkesa pafund për birësim nga nënat e vetme, të cilat ndihen në pozita të forta ekonomike. Gjithmonë e më tepër kuptojnë që janë të pavarura dhe kjo është nxitje për modelet që ekzistojnë”, tha Sulstarova.
Mbarëvajtja e çdo rasti ndiqet për dy vite me radhë nga komiteti, të cilët mbajnë kontakte të vazhdueshme me familjen birësuese. Ndërsa për birësimet që ndodhin jashtë vendit është agjencia ndërmjetësuese ajo që ndjek ecurinë e jetës që ka çdo fëmijë pas birësimit të tij./kb