Afera ‘Partizani’, Berisha paraqitet sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje

Kreu i PD-së, Sali Berisha do të paraqitet sot, në orën 09:30, në SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitje” për aferën Partizani. Në gjyqin për këtë aferë, dosje e cila kaloi për gjykim më 19 maj, Berisha nuk është paraqitur asnjëherë deri më tani, por është përfaqësuar nga avokatët e tij.

Të pandehur bashkë me Berishën, është marrë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi si dhe tre të tjerë, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina. Seanca e radhës e gjyqit është shtyrë për më 13 tetor për shkak se avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pavlefshmëri të akteve të SPAK.

Berisha akuzohet se, gjatë kohës kur mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”./kb