“E qëllova se po humbisja gjyqin”, Elvis Shkëmbi pranon vrasjen e gjyqtarit

Elvis Shkëmbi, personi i arrestuar si autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja këtë pasdite, ka pranuar krimin e rëndë. Familja e tij ishte prej vitesh në gjyq për një pronë në lagjen “Skënderbeg” të kryeqendrës së veriut, dhe tani 30 vjeçari ndodhet në ambientet e Komisariatit nr.1.

“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, është shprehur Elvis Shkëmbi, në deklaratën paraprake, menjëherë pas arrestimit nga uniformat blu.

Në vitin 2023, Babai i Elvis Shkëmbit u shfaq në media dhe u shpreh se është pronari i godinave ku jetojnë 31 familje, ish-shkolla e rezervave në Shkodër, dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt dhe i ka fituar përmes proceseve gjyqësore.

Ndërkohë, në vitin 2020, pjesëtarët e 31 familjeve në lagjen “Skënderbeg” e kthyen mbrapsht zyrën private të përmbarimit me pretendimin se personi që pretendon se është pronari i tokës, ka dokumentet false dhe që atëherë çështja po zvarritet nëpër dyert e institucioneve.

Newsbomb.al. mëson se gjyqtari Astrit Kalaja, një ndër figurat më të njohura për integritetin dhe profesionalizmin në sistemin e drejtësisë shqiptare, është qëlluar me plumba në gjymtyrët e poshtme dhe në krah.

Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht ka humbur shumë gjak si pasojë e plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe ekipe nga urgjenca mjekësore kanë mbërritur menjëherë në Bulevardin Zhan D’Ark, buzë lumit Lana, aty ku ndodhet selia e Gjykatës së Apelit në kryeqytet. Autoritetet janë njoftuar për të shtënat nga stafi i Gjykatës. m.p.