Personi në foto është 30-vjeçari Elvis Shkambi i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit. Elvis Shkambi qëlloi gjyqtarin Astrit Kalaja pasi xhaxhai i tij humbi gjyqin për pronën.
Nga të shtënat mbetën të plagosur babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj të cilët ishin gjithashtu palë në gjyq përballë Elvis Shkambit. Siç mësohet, autori Elvis Shkambi ka qenë brenda në sallën e gjyqit, me seancën që ka nisur në orën 14:00.
Gjyqtari Astrit Kalaja është njohur me faktet, me pretendimet e palëve dhe në fund ka vendosur në favor të të plagosurve.
Pas përfundimit të seancës, i ndjeri Kalaja ka dalë në korridor. Aty është pritur nga autori Shkambi që e ka qëlluar me armë të tipit pistoletë. Pas përfundimit të aktit kriminal, ai ia ka dhënë armën rojës së sigurisë së gjykatës.
Pas kësaj, autori ka dalë jashtë ambienteve të Gjykatës, ku ka shkuar pranë një patrulle të policisë duke i treguar gjithçka ka ndodhur. Kësisoj ai është dorëzuar duke treguar ngjarjen e rëndë që ka tronditur sot gjithë Tiranën.