Nga Aranit Muraçi
Gara e zgjedhjeve të parakohshme për Tiranën dhe për 5 bashkitë e tjera nuk është një garë individuale. Është garë partiake, mes dy kampeve politike. Nga njëra anë është partia në pushtet dhe nga ana tjetër opozita. Kandidatët e pavarur nga dy kampet e mëdha politike janë të tillë për aq kohë sa mbeten jashtë garës, ose në garë me të dy kampet e mëdha.
Ende pa një emër në 6 bashki përfshirë Tiranën, kur ka mbetur rreth një muaj nga gara për zgjedhjet, çfarë do të thotë për opozitën një kandidat i pavarur?
Një kandidat “i pavarur” nga opozita nuk do të thotë se të tjerët brenda saj duhen parë si “të varur” në litar, apo e kanë litarin në fyt dhe si të tillë janë kandidatë për t’u ‘varur’ nga kryetari i saj ose nga Kryesia e partisë.
Një kandidat “i pavarur” do të thotë që pas zgjedhjeve të 9 nëntorit, jo vetëm kryetari i opozitës do të mund të justifikohet për humbjen e mundshme e të pritshme dhe do të largojë përgjegjësinë nga humbja, kur ende nuk ka pranuar një humbje të porsapësuar dhe me përgjegjësi më të madhe.
Kryesia e saj dhe të gjithë ‘xhepistët’ që nga deputetët që dolën pa garë e pa meritë dhe deri tek ‘analistët’, veçanërisht ata të ‘varur’ të cilët partia iu ka vendosur litarin në fyt pa karar, do ta përdorin ‘kandidatin e pavarur’ si strategji për të larguar përgjegjësinë nga humbja.
Të gjithë zërat e varur të opozitës do të thonë se humbja, veç faktorëve të “dalë boje” si justifikim që nga patronazhistët, mafia, krimi, administrata etj, nuk ishte e tyre, sepse humbësi këtë herë “nuk ishte i varur”, as përgjegjësi e partisë, por ishte humbje ‘individuale’.
“Diplomacia” e keqpërdorur nga një kandidate tërësisht e varur si Adriana Kalaja në PD, e cila pas dogji vetveten si kandidaturë e vetshpallur propozoi së fundmi plot lajka emrin e Jorida Tabakut, dhe në të njëjtën ditë, nga ana tjetër, propozimi i kryetarit Berisha i cili përmendi Kalanë si kandidaten më të mirë (grua) politike zbulon një pjesë të së vërtetës rreth tymnajës së opozitës para zgjedhjeve.
Opozita për të maksimizuar rezultatin në Tiranë dhe më tej, në Shqipëri, e ka një kandidaturë dhe model për sukses. Modelin e saj e njohin të gjithë. Është Jorida Tabaku, rezultati i jashtëzakonshëm i së cilës në zgjedhjet e fundit, duhet të shërbente si frymëzim për suksesin opozitar.
Është pikërisht përpjekja e shëmtuar dhe e pahijshme për të minuar ose për të sabotuar suksesin, për t’i djegur mandatin, modelin dhe lidershipin modern e perëndimor që përfaqëson Jorida Tabaku problemi i vërtetë dhe më i madh i opozitës.
Ashtu siç suksesi individual i Jorida Tabakut ishte i merituar dhe jo rastësor, fakt që çuditërisht përmendet rrallë, deputetja më e votuar e opozitës për fatin e saj të mirë është më e zgjuar se të gjithë ata të cilët përpiqen që t’ia sabotojnë modelin që ajo përfaqëson.
Kur dështakët dhe sabotuesit e suksesit të vërtetë brenda opozitës të dorëzohen përfundimisht, atëherë ajo nuk do të vuajë më kaq shumë si deri tani për të gjetur një kandidat shpresëdhënës, pak rëndësi ka se sa i varur do të jetë ai ose ajo që do garojë në Tiranë dhe kudo tjetër./E.T