Policia e Shtetit ka ndarë sot të dhënat për veprimtarinë gjatë muajit shtator.
Siç bën me dije përmes një njoftimi zyrtar, përgjatë muajit që sapo lamë pas u goditën 175 raste të ndërtimeve të paligjshme në të gjithë vendin, janë vënë në pranga 197 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, janë vënë 20 714 masa administrative për shoferët e kapur në shkelje, si edhe janë evidentuar 50 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve.
Njoftimi i plotë:
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe seksionet e saj në qarqe goditën krijimin e skemave piramidale në hapësirën virtuale, 1 rast të pornografisë me të mitur dhe raste të kanosjes nëpërmjet rrjeteve sociale;
Agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës kontribuan për goditjen e një rrjeti kriminal që iu merrte shtetasve mijëra euro, për t’i çuar ilegalisht në SHBA ose Kanada;
– Policia e Korçës finalizoi gjithashtu një operacion kundër transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve;
Më tej, u finalizuan:
– 20 operacione kundër vjedhjes;
– 3 operacione kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
– 1 operacion në favor të sigurisë ushqimore;
U goditën 175 raste të ndërtimeve të paligjshme në të gjithë vendin;
U proceduan penalisht 18 shtetas që penguan me mjetet e tyre lëvizjen e qytetarëve dhe të mjeteve të tjera;
Gjatë muajit shtator nisi zbatimi i Paketës për Sigurinë në Shkolla dhe programeve “Siguria e të rinjve”;
Në bazë të eksperiencës së fituar për sa i përket menaxhimit të eventeve ndërkombëtare, dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në një plan masash të detajuar, gjatë muajit shtator u garantua mbarëvajtja e ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Letoni”;
Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë vijuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.
Në këtë kuadër:
– janë vënë në pranga 197 drejtues mjetesh, nga të cilët 128 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 69 për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
– janë pezulluar 329 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
– janë vënë 20 714 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.
U dha ndihmë në det, në zonat turistike e malore, 35 shtetasve, kryesisht turistë e vizitorë të huaj, që kishin mbetur të bllokuar, rrezikoheshin nga dallgët apo kishin humbur orientimin për t’u kthyer në destinacion;
21 mjete lundruese u bllokuan pasi drejtuesit e tyre shkelën rregullat për pajisjen me dokumentacion dhe për sigurinë e pushuesve.
Janë evidentuar dhe goditur:
– 50 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;
– 14 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;
– 6 raste të mosdeklarimit të shumave të parave;
– 6 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.
– 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike./e.t