Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën si pasojë e një atentati brenda ambienteve të gjykatës, ka reaguar zyrtarisht edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Në një deklaratë publike, SPAK e cilëson këtë akt si një vrasje të paprecedentë, duke dënuar me forcë krimin e rëndë që ka tronditur institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik.
“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm,” thuhet në reagim.
SPAK gjithashtu shpreh solidaritet të plotë me gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, të cilët, siç thuhet në deklaratë, “përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.”
Ngjarja konsiderohet nga Prokuroria e Posaçme si një thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë, përfshirë forcimin e masave mbrojtëse për të gjithë aktorët e përfshirë në sistemin gjyqësor.
“Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë, si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme,” përfundon deklarata. m.p.