Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu ka reaguar për ngjarjen tronditëse të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit si dhe plagosjen e dy personave të tjerë.
Koçiu ka sqaruar se Policia e Shtetit nuk ka asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurisë brenda godinave të gjykatave.
Reagimi i ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:
Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.
Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ministrit të Drejtësisë, Besfor Lamallari. Njësoj si dhe kryeministri Rama, Lamallari u shpreh se do të shihet me përparësi ndryshimi i Kodit Penal referuar armëmbajtjeve pa leje. m.p.