Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën tragjikisht sot, i vrarë në mjedisin ku ai po ushtronte detyrën e tij.
Në Gjykatën e Apelit, drekën e ditës së hënë ndodhej edhe avokati Idajet Beqiri, një nga miqtë e gjyqtarit të ndjerë.
Avokati tha për emisionin “3D” në RTSH 1 se rastësisht ata kishin shkëmbyer disa fjalë një orë para se babai i dy fëmijëve do të ndahej nga jeta me plagët fatale në gjoks, si pasojë e plumbave të lëshuar nga arma e njërit prej palëve që ai po gjykonte.
“Zakonisht këta, krimi, edhe në bashkëpunim me avokatët e tyre, punojnë dhe testojnë Gjykatën e Apelit. Testojnë dhe bëjnë presion. Atë presion që ka bërë në Shkallën e Parë, kur fitoi gjyqin, ka menduar që mund ta kalojë edhe këtu në Apel. Në Apel, ‘ndalu beg, se ka hendek’. Qëlloi një gjyqtar…
Kam kaq vjet që e njoh, qysh në fillim të karrierës së tij. Sot u takova në orën 12:45 dhe pastaj mbrapa ndodhi ngjarja. Isha në gjyq atje te Salla 4 dhe ai gjykonte në Sallën 5. Në korridor u takuam. Shkëmbyem edhe bisedë me të. Kemi të bëjmë me një gjyqtar i cili ka integritet të lartë profesional dhe moral. Nga ana tjetër, një gjyqtar, i cili me shumë bonsens… Nuk është si ata gjyqtarët që bam çekanin, me egërsi etj. por të pranonte të flisje edhe dokrra. Nuk është ky gjyqtar i natyrës që të pësonte këtë që pësoi. Prandaj them që kjo është goditje e rëndë që i jepet pozitivitetit të reformës në drejtësi, atyre elementëve që me të vërtetë duan të japin drejtësi. Ky u godit se jepte drejtësi!” u shpreh Beqiri./kb