Floriana Garo: Pa gratë, Shqipëria s’mund të ndërtojë të ardhmen europiane

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka theksuar rëndësinë jetike të rolit të grave në procesin e integrimit europian, duke deklaruar se “Shqipëria nuk ndërtohet pa gratë”. Në një takim me përfaqësuese të fondacionit suedez Jarl Hjalmarson, Garo theksoi se fuqizimi i gruas është një domosdoshmëri kombëtare dhe themel i demokracisë moderne. Ajo kërkoi përfshirje të grave në grupet negociuese me BE-në, në drejtësi, inovacion dhe media, si aktore të vërteta të ndryshimit. Sipas saj, vetëm me gra në qendër të vendimmarrjes, Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme të denjë dhe europiane. “Gratë dhe Integrimi Europian- Nga Spektatore në Aktore. Të nderuara zonja demokrate, te dashura kolege dhe mike të Partisë Demokratike nga fondacioni Jarl Hjalmarson, Sot jemi mbledhur jo vetëm për të folur për gratë, por për të folur për Shqipërinë. Sepse Shqipëria nuk ndërtohet pa gratë. Unë jam sot këtu për t’ju thënë diçka të qartë: fuqizimi i gruas nuk është thjesht çështje barazie, është domosdoshmëri kombëtare. Për shumë vite gratë shqiptare kanë qenë shtylla e familjes dhe shpirti i komunitetit.

Kanë sakrifikuar, kanë punuar, kanë luftuar për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, shpesh pa mbështetjen dhe mundësitë që meritojnë. Sot është koha që kjo fuqi e heshtur të bëhet forcë vendimmarrëse – në politikë, në ekonomi, në media dhe në teknologji. Integrimi në Bashkimin Europian. Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik. Ai është një kontratë shoqërore që prek drejtpërdrejt jetën e çdo gruaje shqiptare. Standardet e BE-së për barazinë gjinore, janë një mundësi e madhe për të ngritur nivelin tonë kombëtar. Në Partinë Demokratike gratë duhet të jenë jo spektatore, por aktore kryesore të këtij procesi: të kemi gra eksperte në grupet negociatore, që madje e udhëheqin këtë proces. Asgjë nuk do të ndryshoje nëse gratë nuk janë pjesë e vendimmarrjes dhe drejtimit të vendit. Shembujt nga Kroacia e Mali i Zi tregojnë se vendet që kanë përfshirë gratë në procesin negociues kanë ecur më shpejt dhe më mirë.

Roli i Medias. Pa media të lirë nuk ka demokraci. Dhe pa gra të mbrojtura në media nuk ka media të lirë. Në Shqipëri kemi gra gazetare, moderatore, producente që shpesh përballen me dyfish presion, profesional dhe personal. Na duhet gjithashtu një program i posaçëm për mbrojtjen nga dhuna online. Ndryshimi i Botës nga Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale. Bota po ndryshon më shpejt se kurrë. Inteligjenca artificiale, teknologjia, automatizimi po transformojnë tregun e punës. Për gratë kjo është një shpatë me dy tehë. Nga njëra anë, teknologjia u jep mundësi të punojnë nga shtëpia, të hapin biznese online, të ofrojnë shërbime globale. Ka vajza që tashmë punojnë si freelancer për kompani të huaja nga shtëpia e tyre. Por nga ana tjetër, sektori i shërbimeve ku punojnë shumë gra: banka, administrata, call-centers do të preket i pari nga automatizimi. Qindra vende pune mund të zhduken në dhjetë vitet e ardhshme. Grante enkas për teknologjinë janë të domosdoshme për startup-et e grave. La ta udhëheqin gratë inovacionin në dekadën e ardhshme në Shqipëri./kb