Një hap i madh përpara në integrimin ekonomik të Shqipërisë me Bashkimin Europian u konkretizua sot me përfshirjen zyrtare të vendit në SEPA (Zona e Pagesave të Vetme në Euro).
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë tashmë transferta në euro drejt vendeve të BE-së me komisione minimale dhe në të njëjtat kushte si brenda Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër sukses në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke theksuar përfitimet e drejtpërdrejta që do të ndjejnë qytetarët dhe bizneset.
“RRUGA DREJT ANËTARËSIMIT dhe suksesi në negociata, sjellin një LAJM SHUMË TË MIRË,” shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, nga sot, “qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE”.
Përfitimet ekonomike janë të konsiderueshme. Vetëm për vitin e parë, Banka e Shqipërisë parashikon një kursim prej rreth 20 milionë euro për qytetarët dhe bizneset shqiptare, falë uljes drastike të tarifave të transfertave ndërkombëtare.
“Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s”, theksoi Kryeministri, duke shtuar se “shqiptarët do të paguajnë komisione të njëjta me transfertat brenda vendit.”
SEPA është një sistem i përbashkët i pagesave në euro, i cili u lejon përdoruesve të kryejnë transferta ndërkufitare brenda hapësirës evropiane, po aq thjeshtë dhe me të njëjtat tarifa si pagesat kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë sistem shënon një tjetër përputhje me standardet financiare të BE-së dhe një lehtësim të ndjeshëm për të gjithë përdoruesit e shërbimeve bankare./kb