Testamenti i një trashëgimie pasurie është një dokument ligjor që përcakton ndarjen e aseteve pasurore të një personi kundrejt trashëgimtarëve ligjorë apo personit që ai ka zgjedhur t’ia lërë. Njëkohësisht, rezulton që në Shqipëri të jetë një nga dokumentet më problematike sepse ndodh që çfarë shkruhet në letër, të mos zbatohet drejt në praktikë.
Në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, avokatja Elta Milori shpjegon rrugën ligjore sesi mund të lihet një testament. Ajo thekson se një testament duhet të bëhet në dijeni të të gjithë bashkëpronarëve për të mos lënë të panjohura për të tjerët dhe për të shmangur mosmarrëveshjet pasi personi të ketë ndërruar jetë.
Aldo: Si bëhet sot një testament, nëse do ta bëjë një çift?
Elta Milori: Një çift një testament, për mendimin tim, më mirë ta bëjnë kur janë të aftë edhe mendërisht, edhe fizikisht në mënyrë që kur ta artikulojnë atë testamentin dhe ta vënë firmën, të mos lënë sherre mbrapa.
Aldo: Po si bëhet?
Elta Milori: Shkohet te noteri, e ka ligji që noteri konstaton aftësinë e tyre mendore dhe fizike.
Aldo: Po si e konstaton noteri?
Elta Milori: E konstaton, duhet raporti mjekësor. Duhet të paraqiten te noteri me raport mjekësor dhe këtu qëndron e keqja dhe pasi konstaton, e bën atë testamentin dhe e depozitojnë te noteri. Tani, problemi është që kjo gjë te noterët nuk funksionon sepse noterët i marrin edhe në shtëpi, bëjnë ca shkarravina, ke pleq që iu fillon skleroza, Alzhaimeri dhe thjesht bëjnë atë veprimin, e depozitojnë dhe kjo gjëja pastaj iu kushton trashëgimtarëve ligjorë me vite gjyqe sepse e kontestojnë dhe po ta them me bindje unë se kam punuar me vite në gjykata që nga 100% e testamenteve, 70% janë nëpër gjyqe të kontestuara.
Aldo: Pse kaq shumë?
Elta Milori: Sepse janë bërë të gjitha në kushte dhe rrethana që nuk është vërtetuar aftësia mendore dhe fizike e atij që ka lënë testamentin. Ka edhe rezervat ligjore pastaj.
Avokatja thotë se në ndarjen e pasurisë ka disa hallka që shërbejnë si barriera, por sigurisht kryesorja është kujdesi i çdokujt para një veprimi të tillë ligjor.
Elta Milori: Noteri duhet të jetë hallka e parë që të vërë barrierën, gjykata hallka e dytë dhe sigurisht që njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm përpara se të ndajnë gjërat.
Në një këshillë të fundit, avokatja zgjedh të tejkalojë profesionin e saj duke i dhënë rëndësi marrëdhënieve njerëzore që duhen respektuar para çdo pasurie tjetër fizike.
Elta Milori: Përpara dashurisë me njëri-tjetrin, mirëkuptimit, të mos vihet prona. Prona sot është, nesër s’është, prishet vëllazëria, dashuria, mirëkuptimi midis familjes, midis vëllait, nënës, motrës, babait, fëmijëve, është gjëja më e rëndësishme, pasuri që nuk shuhet kurrë. Trashëgimia ligjore që është e mirëkuptueshme, është një gjë që zgjidhet me ligj, por ka edhe mirëkuptim sepse kemi hasur që kur janë ndarë me ligj ia kanë dhuruar njëri-tjetrit për arsye të ndryshme./kb