Kur Altin Dumani mori detyrën si kryeprokuror antikorrupsion në fund të vitit 2022, shumë veta pyesnin veten nëse ai do të kishte guximin të përballej me korrupsionin e rrënjosur thellë dhe krimin e organizuar që kanë pllakosur vendin për dekada me radhë.
Tani që Dumani po largohet, shqiptarët vrasin mendjen nëse pasardhësi i tij do të arrijë standardet që ai vendosi.
Në tre vitet e tij në krye të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, ose SPAK, Dumani, 50 vjeç, ka ndihmuar në rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor duke mbajtur përgjegjës disa nga zyrtarët më të lartë publikë – nga kreu i Partisë Demokratike të opozitës, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, deri te kryetari i bashkisë së Tiranës dhe aleati i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, Erion Veliaj.
Këmbëngulja e Dumanit ka bërë që ai të bëjë armiq në të dy kampet kryesore politike. Por ai është treguar i kujdesshëm për të mos u përfshirë në polemika publike, duke dhënë vetëm një intervistë televizive gjatë gjithë mandatit të tij.
Me mandatin e tij që përfundon në dhjetor, po rritet pritshmëritë se kush do ta marrë përsipër detyrën.
Analisti politik Lutfi Dervishi tha se Dumani do të lërë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.
“Për vite me radhë, në Shqipëri ekzistonte një ligj i pashkruar: drejtësia ishte një shpatë që i priste të gjithë, përveç niveleve më të larta të pushtetit”, tha ai. Kjo ndryshoi, tha ai, “kur Altin Dumani erdhi në krye të SPAK-ut”.
“Dy ish-presidentë, një ish-kryeministër, një ish-zv/kryeministër dhe madje edhe kryetari aktual i bashkisë së Tiranës u përfshinë në dosje hetimore që, deri dje, do të konsideroheshin tabu”, tha Dervishi për BIRN.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike, tha se Dumani ka vendosur një standard.
“Mendoj se kushdo që vjen pas z. Dumani do të ketë standardin dhe do të ketë presionin për të arritur standardin e tij, ose për ta tejkaluar atë, që do të thotë se ai tashmë ka krijuar një standard mbi të cilin duhet të bazohen dhe të përparojnë hetimet.”
“Ne merremi me provat”

SPAK-u u krijua në vitin 2019 si pjesë e një reforme të gjerë, të mbështetur nga Perëndimi, për pastrimin e sistemit të drejtësisë së korruptuar në Shqipërinë anëtare të NATO-s, reformë e cila çoi gjithashtu në largimin e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes procesit të ashtuquajtur “veting”.
Vetëm vitin e kaluar, SPAK njoftoi se kishte vënë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë publikë, nga të cilët 19 u dërguan për gjykim.
Ata përfshijnë disa figura të fuqishme politike: Berisha, një figurë qendrore e politikës shqiptare që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, është aktualisht në gjyq për korrupsion; një tjetër ish-president, Ilir Meta, dhe bashkëshortja e tij, ish-deputetja Monika Kryemadhi, po gjykohen gjithashtu për akuza korrupsioni, pastrimi parash dhe fshehje pasurie; ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim për të njëjtat akuza; ndërsa ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj është në arrati për shkak të një hetimi për korrupsion dhe pastrim parash.
Berisha e quajti Dumanin “autor të krimeve të rënda kushtetuese”; pas arrestimit të Veliajt në shkurt, Rama tha se SPAK kishte nevojë për “kritikë konstruktive” dhe për “reformim”; ndërsa Meta e quajti Dumanin “kloun”.
Në intervistën e tij të vetme televizive, në dhjetor të vitit të kaluar, Dumani e hodhi poshtë kritikën:
“Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik”, tha ai. “Ne merremi me provat.”
“Reagimet e mia janë institucionale dhe jo emocionale”, shtoi Dumani.
Dervishi tha se Dumani e kishte lënë punën e tij të fliste vetë.
“Ndryshe nga shumë figura publike që e matin suksesin me klikime, Dumani zgjodhi heshtjen”, tha Dervishi për BIRN. “Vetëm një intervistë televizive në tre vjet – një rekord që në Shqipëri mund të interpretohet si mungesë dëshire për ekspozim. Ai ka refuzuar të bëhet një ‘hero’ në kuptimin folklorik të fjalës.”
Migen Qiraxhi, aktivist i organizatës Qëndresa Qytetare, tha se Dumani ishte “i paprekur nga zhurma mediatike apo përplasjet politike”, duke vendosur një shembull “që vendi ynë e ka dëshpërimisht të nevojshëm në çdo sektor të jetës publike”.
“Heshtja si filozofi pune, lënia e rezultateve të flasin më shumë se fjalët, është një model i jashtëzakonshëm në kohë kur imazhi dhe propaganda kanë pushtuar hapësirën ku jetojmë – një model që e ka shndërruar SPAK-un në institucionin më të besuar në Shqipëri, edhe pse nuk ka as një ‘zyrë shtypi’.”
Zhgënjim për “krimet zgjedhore”

Pavarësisht sukseseve, disa thonë se ka pasur edhe mangësi gjatë drejtimit të Dumanit.
Gentian Serjani, drejtues i organizatës për të drejtat e njeriut dhe demokracinë “Drejtësi Sociale”, shprehu keqardhje për mungesën e rezultateve sa i përket “krimeve zgjedhore”, duke iu referuar pretendimeve për parregullsi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, të mbajtura në maj.
“Nga njëra anë, e vlerësoj integritetin, seriozitetin dhe frymën që ai krijoi te qytetarët lidhur me besimin se politikanët mund të vihen përpara drejtësisë”, tha Serjani për Dumanin. “Hetimet e kryera nën drejtimin e tij ringjallën shpresën se askush nuk është mbi ligjin.”
“Por, nga ana tjetër, nuk mund të mos shpreh si qytetar zhgënjimin tim për pritshmëritë që kisha ndaj rolit të SPAK-ut në parandalimin e veprimeve kriminale në zgjedhjet e vitit 2025”, tha ai për BIRN.
“Ndoshta pritshmëritë e mia ishin më të larta se mundësitë reale të këtij institucioni, sidomos duke marrë parasysh mungesën e besueshmërisë së Policisë së Shtetit dhe pengesat që vijnë nga vetë politika.”
Në janar të këtij viti, SPAK publikoi një strategji për parandalimin e mashtrimeve zgjedhore, pas akuzave të përsëritura për blerje votash, presione politike dhe taktika të tjera të pandershme që kanë shoqëruar zgjedhje pas zgjedhjesh në Shqipëri. Por një pjesë e shoqërisë u shpreh e zhgënjyer nga mungesa e arrestimeve që pasoi.
SPAK nuk mund ta përballojë i vetëm këtë betejë, tha Krasniqi, duke bërë thirrje që “të gjitha strukturat që luftojnë korrupsionin” të reformohen./ BIRN