Gjithçka nisi në tetorin e vitit 2022, gjatë një kontrolli rutinë. Diagnoza ishte një goditje e dyfishtë për Irena Lancin, pasi edhe nëna e saj ishte prekur nga kanceri i gjirit.
“Është mundësia e parë që më jepet të flas për veten time dhe për këtë diagnozë. në tetor të 2022-it kam bërë check up rutinë që bëhet dhe aty u diagnostikova me kancer gjiri momenti i parë ishte shumë i vështirë për mua, për pjesëtarët e familjes dhe më e dhimbshmja në gjithë këtë histori ishte sepse një vit më përpara mami im ishte diagnostikuar me kancer gjiri dhe e hoqi gjoksin. Gjithsesi kjo eshtë një histori e kaluar. unë të gjithë trajtimin tim e kam ndjekur në spital shtetëror dhe dua të falenderoj me gjithë shpirt gjithë stafin mjekësor”, shprehet Irena Lanci.
Me lot në sy kujton momentet e vëshitra:
“Mbaj mend që një moment e humba komplet, ndoshta u lodha, ndoshta nuk e di çfarë ndodhi me mua, por vajza ime e vogël më ka ardhur në dhomë, më ka përqafuar dhe më ka thënë ti je mami më e bukur në botë. Atë moment nuk kam për ta harruar kurrë. Unë nuk kisha as flokë, isha shumë e fryrë nga ilacet. Ajo më ka dhënë forcën më të madhe.
Nënë e dy vajzave dhe punonjëse në sektorin public ne Vlore, Irena nuk e ndërpreu punën gjatë trajtimit me kimioterapi. Sot, Irena bën analiza periodike dhe ndjek një regjim të kujdesshëm ushqimor.
“Eshtë një sëmundje që do shumë forcë, sepse do kalosh shumë ka shumë faza.Si fillim duhet ta pranosh që ti e ke dhe më tepër është psikologjike, por unë për këtë pjesë kam luftuar shumë dhe sa herë për një vit e gjysëm kam bërë kimiot dhe kimiot i lija të premteve, sepse të hënën doja me patjetër të isha në punë dhe kjo gjë më ka dhënë dhe më ka bërë shumë të fortë. Për një vit e gjysëm kam bërë këto kimot qe të rëndojnë shumë fizikisht, por e gjeja forcën për hir të dy vajzave që kam. Ato më dhanë forcën dhe fuqinë që unë të ecja gjatë gjatë kësaj periudhe ka patur momente shumë të dhimbshme”, tha Lanci për Report TV.
Ndersa Brikela Hoxhaj, mësuese në një shkollë jopublike të Vlorës e ka me te veshtire.
“Une nuk kisha shfaqje të diçkaje apo të ndonjë dhimbje të veçantë, por thjesht ishte një ndoshta dhe një rutinë që ishte lënë pak pas dore që duhej bërë. U bë erdhi si një rufe në qiell të hapur, sepse ishte diçka që s’e prisja dhe as e mendoja ndonjëherë”, u shpreh Hoxhaj.
Aktualisht Brikela po vazhdon trajtimin me kimioterapi por serish e gjen forcen per te dhene mesim.
“Ka momente që nuk ndihesh fort mirë, ka momente që nuk ke mundësinë fizike apo edhe mendoren, sepse është shumë e rëndësishme dhe ajo mendorja. kështu që bëj një shkëputje të vogël, por përsëri rikthehem për të qenë përsëri këtu. Ka momente që e humbet veten sepse thua pse mua, por ka momente që pastaj thua oke do bëhem e fortë sepse kam arsye për të qenë e fortë”, shprehet mesuesja nga Vlora.
Mesazhi i Irenes dhe Brikeles është i thjeshtë: Kontrolli i hershëm shpëton jetë dhe dashuria familjare të jep forcën për të përballuar sfidat e jetes. m.p.