Sot Kuvend/ Seanca nis me 1 minutë heshtje për gjyqtarin Kalaja, opozita kërkon debat

Në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet për seancën plenare, e cila do të nisë me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i vrarë mesditën e së hënës në sallën e gjyqit. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar edhe debat për sigurinë në gjykata.

Në rendin e ditës së seancës është parashikuar raportimi i disa institucioneve për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024, si dhe pyetje dhe debat nëse kërkohet. Në orën 09:30, para seancës, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për zhvillimin dhe përcaktimin e kohës së debatit për raportimet e këtyre institucioneve.

Në fillim të seancës do të bëhet raportimi i veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2024 nga drejtuesi Gentian Sala (20 minuta). Më pas pritet leximi i projektrezolutës nga Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, si dhe votimi i saj.

Edhe komisioneri Besnik Dervishi do të raportojë për veprimtarinë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) për vitin 2024. Më pas pritet prezantimi dhe votimi i projektrezolutës nga Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Gjithashtu, Petrit Ahmeti, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), do të raportojë për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar. Pas raportimit, do të lexohet dhe votohet projektrezoluta e dy komisioneve, Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Pritet të shpaloset edhe raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit (ERRU) nga Kryetarja e Komisionit Rregullator, Gerta Lubonja. Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do paraqesin projektrezolutën që pritet të votohet.

Lexo edhe :  Ku e gjeti Elvis Shkambi pistoletën? Avokati: Ka punuar në institucione të sigurisë

Në seancën e kaluar të datës 29 shtator, demokratët kërkuan sërish zhvillimin e një debati në Kuvend për programin qeverisës. Maxhoranca zgjodhi t’i përgjigjej përmes deputetëve të rinj të saj, të cilët kritikuan sjelljen e opozitës në parlament.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë